Nënë e bir gjenden të vdekur në banesën e tyre, në qytetin e Romës.

 

Ngjarja tragjike ka ndodhur ditën e djeshme, në zonën e Labaros, në periferi të kryeqytetit italian. Nëna, Agnese Oliva dhe i biri, Paolo Alessandrini janë gjetur pa shenja jete brenda në shtëpinë e tyre.

 

Sipas informacioneve nga Policia, e cila po punon për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes, dyshohet për një vrasje-vetëvrasje. Djali ka qëlluar nënën e tij me pushkë dhe më pas ka vrarë veten, ky është supozimi i ngritur nga uniformat blu, ende i pavërtetuar.

 

Pushka, që supozohet të jetë arma e vrasjes, është gjendur pranë dy trupave të vdekur.

 

Nga Policia bëhet me dije se lajmin e ka dhënë një fqinj i familjes, i cili ka nuhatur një erë të fortë dhe të pakëndshme që vinte nga banesa. Për këtë arsye ai ka denoncuar rastin, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.

 

Pas kontrollit të bërë në banesë, Policia ka gjetur dy kufomat, mbi të cilat dalloheshin qartë plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit.

 

Ndërkohë autoritetet përkatëse po vazhdojnë kontrollin, për të verifikuar nëse ka qenë një vetëvrasje apo një vrasje e kryer nga dikush tjetër, që mund të ketë qenë në banesë dhe është larguar minutën e fundit.