Kreu i diplomacisë turke, Hakan Fidan, nga Tirana ka rikthyer në qendër të opinionit partneritetin e ngushtë mes dy vendeve, duke theksuar dhe njëherë raportin Rama-Ergodan. Ai, gjatë një konference për media, lëshoi një tjetër thirrje kundër Lëvizjes Gulen, e cila ka praninë kryesore në Shqipërinë, duke thënë:  “Diskutuam për pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO në Shqipëri, ndaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe mbi hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”.  

Më tej, ai bëri me dije se brenda vitit 2024 do të zhvillohet Këshilli i parë Strategjik mes dy vendeve, ndërsa shtoi se objektivi ekonomik është që niveli i fluksit tregtar mes Turqisë e Shqipërisë të kapë vlerën e dy miliardë dollarëve brenda këtij viti.

“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në sektorë të ndryshëm dhe kemi marrëdhënie shumë të mira. Kemi pasur mundësi të marrim pjesë në projekte të përbashkëta. Turqia e Shqipëria janë të lidhura shumë fort nga ana historike, të pashkëputshme. Për këtë ka ndihmuar solidariteti i pashembullt mes Presidentit tonë dhe kryeministrit Rama”, shtoi ai.

 “Ne kemi zhvilluar marrëdhëniet tona në shumë fusha, si tregti, diplomaci, rajon, edukim, teknologji, bujqësi, turizëm, investime reciproke…etj. Ka shumë fusha ku do të vijojmë bashkëpunimin, siç është njohja e patentave, vizat…etj”, tha Fidan.

 “Brenda 2024 duam të zhvillojmë Këshillin e Parë strategjik mes dy vendeve, platformë e rëndësishme për ne. Shpresojmë që edhe vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të shkojë në dy miliard dollarë brenda këtij viti. Dje patëm bisedime me biznesmenët turq, për të parë fushat ku mund të investohet në Shqipëri. Bashkëpunimi që kemi aktualisht nuk është sa kapaciteti që kemi. Kemi më shumë mundësi për të bashkëpunuar. Për këtë edhe qarqet e biznesit duhet të tregojnë angazhim”, ishin deklarimet e ministrit të Jashtëm turk.

Kujtojmë se Hakan Fidan është një prej figurave më të shquara dhe më të spikatura në politikës turke, deri në pikën që ai konsiderohet si njeriu që do pasojë Erdoganin.

Ish-kreu i MIT-it, shërbimeve të fshehta turke, ai tashmë drejton diplomacinë e Ankarasë, bash në kohën më delikate të tërmeteve gjeopolitike, ku Turqia ka rol global me lëvizjet e saj.   /tesheshi.com/