Fatura e koncesionit të laboratorëve u rrit me 11.6 për qind vitin e kaluar teksa kompania koncesionare i faturoi buxhetit të shtetit plot 1.73 miliarde lekë ose 17.3 milionë euro me kursin aktual. Shifra është bërë publike në bilancin zyrtar që kompania koncesionare Laboratory Networks ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Të dhënat tregojnë se kostot e koncesionit të analizave laboratorike në spitalet publike të vendit po rriten me ritme të shpejta nga viti në vit duke dalë nga kontrolli, një situatë e ngjashe që Shqipëria përjetoi me një tjetër koncesion në shëndetësi, atë të Sterilizimit.
Sipas bilanceve, në vitin 2021, që ishte dhe viti i parë i plotë i koncesionit, shërbimi i analizave laboratorike i kushtoi buxhetit të shtetit 1.26 miliardë lekë. Në vitin 2022, fatura kërceu në 1.55 miliardë lekë, ndërsa vitin e kaluar ajo shkoi në 1.73 miliardë lekë.
Kostot u dyfishuan
Tenderi për dhënien me koncesion të shërbimit të analizave në spitalet publike u shpall në vitin 2017. Në prill të atij viti, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Ilir Beqaj shpalli fituese të koncesionit një bashkim kompanish të përbërë nga Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guackë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.
Por për dy vjet kontrata e koncesionit u mbajt në sirtar për shkak të bllokimit nga IFC, që ishte konsulente e qeverisë në tender. Situata u zhbllokua në prill të vitit 2019, kur ish ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu hodhi firmën mbi kontratën koncesionare.
Në atë kohë, qeveria pretendonte se koncesioni i laboratorëve do t’u kushtonte qytetarëve shqiptare 9 miliardë lekë ose 66 milionë euro me kursin e kohës. Por televizioni Top Channel publikoi një raportim sipas të cilit kostoja e koncesionit do të ishte të paktën 13.5 miliardë lekë ose plot 100 milionë euro. Ministria e Shëndetësisë reagoi me përgenjështrim zyrtar duke e cilësuar si të pavërtetë raportimin e Top Channel.
“Qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë për koncesionin 100 milionë euro, sikundër rinënvizoi gabimisht redaksia, po buxheti i shtetit do të paguajë 66 milionë euro sikundër mund të verifikohet lehtësisht ne dokumentin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Dhe këto 66 milionë euro do të paguhen nga buxheti për të siguruar shërbimin e analizave FALAS për cdo qytetar që do ta marre këtë shërbim, me një sasi e cilësi krejt të re, sikundër e kemi sqaruar në shpjegimin e censuruar nga redaksia e Top Channel,” reagoi Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate zyrtare.
Faktikisht asnjë nga shifrat nuk rezultoi e vërtetë. Sepse koncesioni i laboratorëve duket se do të jetë të paktën 15 miliardë lekë për të gjithë jetëgjatësinë e tij, gati dy herë më shumë se shuma e shpallur nga qeveria kur u dha kontrata koncesionare.
Nën hetim
Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata e katërt e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë. Procedurat e Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e këtij shërbimi me koncesion janë vënë në pikëpyetje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga viti 2022 po hetohen për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
“Mbi bazën e materialit hetimor të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është regjistruar procedimi penal nr.18, datë 31.01.2022 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike,” bëri të ditur SPAK vitin e kaluar.
Nuk dihet se në ç’fazë janë hetimet për këtë koncesion. Por një gjë është e sigurtë. Koncesioni i laboratorëve po përsërit skenarin e Sterilizimit ku kostot rriten në mënyrë të pakontrolluar dhe më pas autoritetet detyrojnë mjekët dhe spitalet që të mohojnë shërbimin për pacientët për shkak të tejkalimit të buxhetit.
Ai i Sterilizimit u rinegocua nga ministria e Financave, duke i vënë tavan përmes një çmimi të përshkallëzuar. Ndërsa për laboratorët duket se nuk ka ende ndonjë rinegocim dhe kostot vazhdojnë të rriten./SyriNet