Ministri i Financave i Izraelit, i cili vjen nga ekstremi i djathtë, Bezalel Smotrich, tha se partia e tij nuk do të binte dakord për ndalimin e luftimeve në Gaza dhe bëri thirrje për sundim ushtarak izraelit të enklavës pas luftës.
Sipas "Channel 12", Smotrich e bëri deklaratën gjatë një takimi me partinë në Knesset, parlamentin izraelit.
Ai tha se ndalimi i luftës në Gaza për dy muaj do të nënkuptonte humbjen e arritjeve të ushtrisë izraelite atje dhe do të lejonte grupin palestinez Hamas të rivendoste sundimin e tij, "duke i mundësuar hyrjen e terrorizmit sërish në enklavë sapo ushtria të tërhiqet".
Komentet e tij erdhën si reagim ndaj raporteve në mediat izraelite se Izraeli dhe Hamasi ishin afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi sipas së cilës do të hynte në fuqi një armëpushim dy mujor dhe do të ndodhte një shkëmbim i të burgosurve.
"Do të ketë sundim ushtarak izraelit në Gaza sepse është dakorduar nga të gjithë ne", tha Smotrich në një intervistë me "Channel 12" të shtunën.
Ai foli gjithashtu kundër Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA), duke thënë se ajo duhet të dëbohet nga Gaza dhe Bregu Perëndimor.
Izraeli ka pretenduar se disa nga punonjësit e agjencisë ishin të përfshirë në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi në Izrael.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, duke vrarë të paktën 26.637 palestinezë dhe duke plagosur 65.387 të tjerë.
Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka lënë 85 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendosur në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa