Disa persona u grumbulluan dhe shkatërruan posterët e presidentes moldave, Maia Sandu, duke i hedhur në tokë e duke shkelur mbi to. Kjo ndodhi më 28 shkurt në kryeqytetin moldav.
Protesta e fundit anti-qeveritare në Kishinjev u organizua nga grupi që e quan veten Lëvizja për Popullin, që mbështetet nga anëtarët e partisë moldave të afërt me Kremlinin, Partisë Shor.
Themeluesi dhe lideri i kësaj partie, Ilan Shor, më 2017 u dënua për mashtrim, përkatësisht për vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga tri banka moldave më 2014.
Duke valëvitur flamujt e Moldavisë, turma – shumica prej të cilëve raportohet se u sollën në kryeqytet me autobusë – i bëri thirrje Qeverisë së re pro-perëndimore që të paguajë faturat e publikut të energjisë elektrike për sezonin e dimrit dhe që “të mos e përfshijë shtetin në luftë”.
Pasi pak kohë më parë Qeveria paraprake moldave ra për shkak të zemërimit të publikut lidhur me rritjen e çmimeve, presidentja Sandu dhe të tjerët kanë akuzuar Moskën se nga prapaskena po nxit këto protesta dhe po tenton që ta destabilizojë edhe më tej Moldavinë.
Sandu së fundmi ka zbuluar detaje drithëruese lidhur me një plan të supozuar për grusht-shtet që erdhi mes frikës se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të zgjerojë luftën e tij në Ukrainë edhe në Moladvi, duke përdorur trupat ruse që janë në rajonin e shkëputur pro-rus, të Transnistrisë. Kremlini mund të mos shkojë kaq larg, thanë ekspertët, por megjithatë Moska dëshiron jo vetëm që të shfrytëzojë situatën e dobët në të cilën gjendet Moldavia tani, por edhe të përpiqet ta shpërqendrojë Kievin dhe mbështetësit e tij perëndimorë.
“Rusia dëshiron që të përdorë situatën e destabilizuar në Moldavi për të rritur frikën rreth Transnistrisë dhe të tentojë të provokojë Ukrainën që të ndërmarrë veprime ushtarake – të portretizohet nga propaganda ruse si agresore dhe të krijojë një tjetër situatë krize”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dionis Cenusa, bashkëpunëtor në Qendrën e Studimeve të Evropës Lindore me seli në Vilnius.
Mes presionit në rritje të Kremlinit, Perëndimi ka mbështetur Sandun, vendi i së cilës është i vendosur mes shtetit anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Rumanisë, dhe Ukrainës, me të cilën ndan një kufi prej 1.222 kilometrash. Në Moldavi, presidenti përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare dhe ka ndikim të madh mbi politikën e jashtme.
Më 21 shkurt, presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me Sandun në Poloni dhe “riafirmoi mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë”.
Në korrik të vitit 2022, Moldavia, së bashku me Ukrainën, morën statusin e vendit kandidat për në BE, vendim që nxiti zemërim në Moskë.
Grusht-shtet
Më 13 shkurt, Sandu njoftoi se Rusia po planifikonte një grusht-shtet në Moldavi, duke theksuar se inteligjenca ukrainase kishte ndarë detaje për këtë plan të supozuar disa ditë më herët. Individë me të kaluar ushtarake, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi, ishin rekrutuar që ta zbatonin këtë plan, tha Sandu.
Të kamufluar si civilë, ky grup më pas do të caktohej që të merrte kontrollin e ndërtesave qeveritare në Kishinjev, duke marrë edhe pengje. Ata do të kishin mbështetjen e të ashtuquajturave grupe të brendshme kriminale, të cilat, sipas Sandu, do të përfshinin edhe Partinë Shor dhe një grup të lidhur me ish-politikanin dhe oligarkun, Vladimir Plahotniuc. Ky i fundit ka ikur nga shteti pasi është akuzuar për korrupsion të gjerë dhe abuzim me pushtetin.
Sipas presidentes moldave, Rusia kishte tentuar ta destabilizonte shtetin e saj në fund të vitit 2022, por shërbimet lokale të sigurisë kishin arritur të prishnin këto plane. Në përgjigje të akuzave për grusht-shtetin e planifikuar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se përderisa raportimet për këtë çështje nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, “sigurisht se kjo gjë nuk është jashtë sjelljes ruse, dhe ne absolutisht qëndrojmë me Qeverinë moldave dhe popullin moldav”.
Një ditë më vonë, më 14 shkurt, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, hodhi poshtë pretendimet e Sandus duke i quajtur “absolutisht të pabaza dhe të paqëndrueshme”. Një javë më vonë, Putin njoftoi se Rusia kishte tërhequr dekretin që njihte sovranitetin e Moldavisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me Transnistrinë.
Dekreti kishte hyrë në fuqi më 2012 kur raportet e Rusisë me Perëndimin ishin më pak të tensionuara. Ky dekret u anulua për të “siguruar interesat kombëtare të Rusisë” pas “ndryshimeve të thella që po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare”, u tha në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Kremlinit. Ky vendim i Putinit ishte hakmarrje për “përpjekjet e dështuara të Kremlinit për të organizuar grusht-shtet”, shkroi në Twitter, Vlad Lupan, ish-ambasador i Moldavisë në Kombet e Bashkuara.
Përderisa Moldavia mund të ketë shmangur grusht-shtetin nga Kremlini, shteti vazhdon të jetë i paqëndrueshëm dhe i pambrojtur. Më 10 shkurt, Natalia Gavrilita, që atëbotë ishte kryeministrja pro-perëndimore e shtetit, dha dorëheqje, duke thënë se Moldavia po përballej “me kriza të shumta”. Gavrilita tha se kur Qeveria e saj u zgjodh në vitin 2021, askush nuk e priste që do të duhej të menaxhonte “kaq shumë kriza të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë”.
Një krizë e energjisë shpërtheu vitin e kaluar kur Rusia papritur zvogëloi furnizimet e saj me gaz për në Moldavi, shtet që është krejtësisht i varur nga Rusia sa i përket gazit natyror. Kjo gjë bëri që inflacioni të arrinte në nivel rekord, duke nxitur pakënaqësi në mesin e publikut.
“Moldavia është një prej shteteve që është prekur më së shumti nga lufta në Ukrainë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por për shkak të dobësive që ka si një ekonomi e vogël me lidhje të afërta si me Ukrainën, ashtu edhe me Rusinë”, shkroi Banka Botërore në raportin e fundit për këtë shtet. Moldavia po ashtu është përballur me sfidën e akomodimit të refugjatëve nga Ukraina, me mbi 100.000 refugjatë të regjistruar deri në fund të janarit, sipas të dhënave të marra nga agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara.
Më 16 shkurt, Parlamenti në Moldavi zgjodhi Qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Dorin Recean, ish-këshilltar për siguri i Sandus, dhe ministër i Brendshëm nga viti 2012 deri më 2015. Në një shtet me ndasi të mëdha, votimi për zgjedhjen e Qeverisë ishte i ndarë në mesin e partive. Partia pro-perëndimore për Veprim dhe Solidaritet dha 62 vota në favor të Qeverisë, ndërkaq partitë opozitare pro-ruse, Blloku Zgjedhor i Komunistëve dhe Socialistëve dhe Partia Shor, bojkotuan votimin për ekzekutivin e ri.
Duke pasur parasysh se karriera e tij ka qenë e fokusuar në çështje të sigurisë dhe kërcënimit të perceptuar nga Moska, emërimi i Recean ilustron më mirë se “rritja e sigurisë së shtetit” ka marrë një rëndësi më të madhe në Kishinjev, shkroi Kamil Calus, analist në Qendrën për Studime Lindore me seli në Varshavë.
Kërcënimet për sigurinë e Moldavisë janë reale. Më 10 shkurt, një raketë ruse e lëshuar nga deti kaloi përmes hapësirës ajrore moldave dhe goditi caqe në Ukrainë. Pas incidentit, Moldavia thirri në bisedë informuese ambasadorin rus.
Edhe para se të konfirmohej në postin e kryeministrit, Recean kishte zemëruar Moskën, duke bëtë thirrje për çmilitarizimin e rajonit të Transnistrisë dhe tërheqjen e 1.1000 trupave ruse që gjenden atje. Kjo thirrje nxiti një përgjigje nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Ne do t’iu rekomandonim bashkëbiseduesve tanë moldavë që të jenë shumë të kujdesshëm me deklarata të tilla”, tha Peskov gjatë një konference për media në Moskë më 20 shkurt, duke shtuar se raportet mes dy shteteve ishin “shumë të tensionuara”.
Transnistria, me shumicën e banorëve që flasin rusisht, shpalli pavarësinë nga Moldavia më 1990 për shkak të frikës se Kishinjevi mund të kërkonte ribashkim me Rumaninë fqinje, me të cilën ndan një histori dhe gjuhë të përbashkët.
Të dyja palët zhvilluan një luftë të shkurtër, por lufta e përgjakshme e pranverës së vitit 1992 përfundoi me stacionimin e trupave ruse në Transnistri për të intervenuar në anën e separatistëve. Që atëherë, ata kanë pretenduar se kanë vepruar si trupa paqeruajtëse.
Kur Moska nisi pushtimin e shkallës së gjerë të Ukrainës vitin e kaluar, zyrtarët amerikanë dhe të tjerët paralajmëruan se Kremlini po ashtu kishte sytë kah Transnistria, duke shpresuar që të krijojë një urë tokësore përgjatë brigjeve të Detit të Zi të Ukrainës.
Agjencia kombëtare e inteligjencës së Moldavisë ka paralajmëruar për disa skenarë në dhjetorin e vitit 2022, duke thënë se Kremlini po e shqyrton mundësinë e hapjes të një fronti të dytë.
Në mes të tensioneve në rritje me Moskën, ministri i Mbrojtjes, Antolie Nosatii, konfirmoi në janar se Moldavia ka kërkuar nga partnerët perëndimorë sisteme kundërajrore, një vendim që sinjalizon largimin nga politika shtetërore që shteti të mos pajiset me armë vdekjeprurëse nga Perëndimi.
Sipas Kremlinit, armiqtë e tij po planifikojnë që të mbjellin trazira në Moldavi dhe më pas të fajësojnë Moskën.
Më 1 mars, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, foli për “provokimin” e supozuar, kur Kievi dyshohej se po planifikonte të përdorte “materiale radioaktive” në një sulm “afër” Transnistrisë dhe më pas të akuzonte forcat ruse për atë sulm. Ajo i bëri jehonë një taktike të njohur të komunikimit që përdoret nga Kremlini gjatë pushtimit: Fajësoni Ukrainën ose Perëndimin për diçka që Kremlini e ka bërë ose mund ta planifikojë ta bëjë.
Në një njoftim më ogurzi, liderët de facto të Transnistrisë njoftuan po të njëjtën ditë se “kontingjenti i paqeruajtësve” do të niste stërvitje ushtarake tremujore pas “provokimeve ushtarake”.
Tensioneve rajonale u janë shtuar edhe zbulimet e fundit nga Rumania lidhur me një fushatë të lajmeve të rreme – me dyshimet që bien mbi Kremlinin për orkestrimin ose inkurajimin e kësaj fushate – duke pretenduar se Rumania po grumbullonte trupat e saj në kufi me Moldavinë.
Kjo dhe sinjalizimi nga Kremlini kanë bërë që shumë persona të dyshojnë se Rusia po krijon pretekst për veprim ushtarak, megjithëse ekspertët ushtarakë kanë shprehur dyshimet se Rusia ka muskuj ushtarakë për të përdorur tani.
“Rusia ka pak të ngjarë që të tentojë të kryejë një grusht-shtet ushtarak në Moldavi apo të sulmojë Ukrainën nga Transnistria; ushtria ruse thjesht nuk ka pajisje ushtarake apo fuqi luftarake për të bërë diçka të tillë”, shpjegoi George Barros, ekspert për Rusinë në Institutin për Studime të Luftës. Ky institut, me seli në Uashington, monitoron ngjarjet e mëdha të pushtimit rus të Ukrainës.
Trupat ruse në Transnistri po ashtu do t’i ofronin pak ndihmë Moskës, në aspektin e fuqisë së luftës, tha Barros.
“Grupi ‘paqeruajtës’ rus në Transnistri përbëhet nga dy batalione pushkës të motorizuara – një forcë shumë e vogël. Këto dy batalione janë më pak të afta dhe më pak të gatshme për luftë në mesin e Qarkut Perëndimor Ushtarak rus. Ato nuk kanë rrugë të sigurta të furnizimit për në territorin e Rusisë”, tha Barros për Radion Evropa e Lirë.
“Forcat ajrore ruse, që në teori mund të mbështesnin këto forca, gjerësisht janë të degraduara dhe veçse janë dërguar për të luftuar në Ukrainë. Për më tepër, Ukraina kontrollon hapësirën ajrore pranë Transnistrisë, duke e bërë operimin e forcave ajrore të Rusisë të pamundur”, theksoi ai.
“Ne vlerësojmë se Kremlini ka të ngjarë të kryejë operacione të informacionit me qëllim që të shpërqendrojë forcat ukrainase, për të bllokuar trupat ukrainase pranë Odesës dhe për të parandaluar Ukrainën që të dislokojë më shumë trupa që do të ishin të nevojshme në vende të tjera, sikurse në frontet e luftës në lindje dhe jug”, përfundoi Barros.
Se Putini po tenton të shpërqendrojë vëmendjen në vend se të hapë një front të ri të luftës është mendim që e ndan edhe John Spencer, një major në pension i ushtrisë amerikane, i cili ka përcjellë ngjarjet në Ukrainë.
“Ka më shumë të ngjarë që Putini të tentojë të shpërqendrojë vëmendjen nga fronti i luftës”, tha Spencer për Radion Evropa e Lirë.
“Sikurse më parë, ai po tenton që Ukraina dhe bota të zhvendosin burimet e tyre atje. Nuk është një kërcënim real”./REL/