Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona pasi gjetën një depo të madhe armësh në shtëpinë e tyre në Greqinë veriore, njoftoi policia të martën.

Dy të arrestuarit, burri 54-vjeçar dhe gruaja 57-vjeçare, përballen me akuza të rënda për posedim armësh dhe eksplozivi. Policia gjatë bastisjes në shtëpinë e tyre në qytetin e Follorinës të hënën sekuestroi 29 armë, 95 karikatorë municionesh, 11 granata dore, pesë fishekë mortajash, mbi 72 kilogramë barut, më shumë se 35 mijë gëzhoja pushke të kalibrave të ndryshëm dhe një bombë të improvizuar, thanë autoritetet.

Armët përfshinin 14 pushkë sulmi, tre automatikë, 11 pistoleta dhe një pushkë gjahu. Policia sekuestroi gjithashtu 414 kilogramë gëzhoja të zbrazëta, një pushkë, tre detonatorë, një jelek antiplumb dhe fishekë të ndryshëm. Raste të tilla janë të pazakonta në Greqi.

Autoritetet po hetojnë se si çifti ka marrë pajisjet ushtarake dhe nëse ata janë përfshirë në ndonjë krim, tha policia./aa