Claudine Gay, presidentja e parë me ngjyrë e Harvardit, e cila dha dorëheqjen të martën pas akuzave për antisemitizëm dhe plagjiaturë, paralajmëroi se taktikat e përdorura kundër saj “ishin thjesht një përleshje e izoluar në një luftë më të gjerë për dekonstruksionin e besimit të qytetarëve në shtyllat e shoqërisë amerikane”.

Institucionet e besuara, nga organizatat e shëndetit publik te organizatat e lajmeve “do të vazhdojnë të bien pre e përpjekjeve të bashkërenduara për të minuar legjitimitetin e tyre dhe për të shkatërruar besueshmërinë e drejtuesve të tyre,” shkroi Gay në New York Times.

Gay, e cila është një mendimtare politike, u emërua gjashtë muaj më parë. Ajo ishte gruaja e parë me ngjyrë që shërbeu si presidente e Harvardit, megjithatë mandati i saj do të ishte më i shkurtri në historinë 388-vjeçare të universitetit.

Në artikull, Gay pranoi se “kam bërë gabime”, por argumentoi se ftesa e saj për të dëshmuar në Kongres për antisemitizmin në kampuse ishte “një kurth i krijuar mirë” dhe se “fushata kundër meje kishte të bënte me më shumë se një universitet dhe një lider”.

Ajo paralajmëron se i njëjti model do të përdoret edhe ndaj drejtuesve të tjerë institucionalë, duke folur për “oportunistët që po ushqejnë cinizmin për institucionet tona”.

Ankesat kundër Gay ishin përqendruar në akuzat për antisemitizëm dhe plagjiaturë në punën e saj akademike, thekson Guardian. /tesheshi.com/