Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij dhe Kosta Rika kanë vullnet të ndërsjellë për të punuar së bashku në përmirësimin e marrëdhënieve të tyre dypalëshe në çdo fushë.

 

“Falënderoj ministrin e Jashtëm të Kosta Rikës, qeverinë dhe popullin e tij për solidaritetin dhe mbështetjen që kanë treguar gjatë kësaj kohe (në vazhdën e tërmeteve të fuqishme të javës së kaluar)”, tha Çavuşoğlu gjatë një konference të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij nga Kosta Rika, Arnoldo Andre Tinoco.

 

Çavuşoğlu tha se Tinoco viziton Türkiyen për të treguar solidaritet pas dy tërmeteve të javës së kaluar që morën jetën e mbi 36 mijë njerëzve.

 

Shefi i diplomacisë turke gjithashtu falënderoi 101 vende që ofruan ndihmë pas tërmeteve.

 

Çavuşoğlu njoftoi se një personel i përbërë nga gjithsej 7.098 personash nga 74 vende janë duke punuar aktualisht në zonën e katastrofës.

 

Nga lëkundjet e 6 shkurtit me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, me epiqendër në Kahramanmaraş, janë prekur mbi 13 milionë njerëz në dhjetë provinca turke, përfshirë Hatay, Gaziantep, Adımayan, Malatya, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ.

 

Disa vende të rajonit, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet e forta që goditën Türkiyen jugore brenda 10 orëve.

 

Në konferencën për media, Çavuşoğlu tha se me homologun e tij nga Kosta Rika trajtuan po ashtu lidhjet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit rajonale.

 

“Pavarësisht distancës sonë gjeografike, ne kemi mundësi të rëndësishme bashkëpunimi në shumë fusha, veçanërisht në sektorët si tregtia, energjia dhe turizmi”, tha Çavuşoğlu.

 

Ai shtoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe është gjithmonë në rritje.

 

Duke përmendur një memorandum mirëkuptimi në fushën e protokollit të nënshkruar sot me Kosta Rikën, Çavuşoğlu tha se Türkiye dhe Kosta Rika vlerësojnë shumë fushën e arsimit për të forcuar më tej lidhjet njerëzore midis dy kombeve.

 

Për emigracionin e parregullt, Çavuşoğlu theksoi përvojën e dy vendeve, duke shtuar se ata do të ndajnë përvojat për këtë pasi zyrtarët përkatës do të takohen në periudhën e ardhshme.

 

Tinoco, nga ana e tij, përcolli ngushëllimet dhe solidaritetin e Kosta Rikës me Türkiyen në “këto kohë sfiduese”.

 

Tinoco po ashtu ftoi homologun e tij turk të vizitojë vendin e tij, duke theksuar se “do të ishte një mundësi e shkëlqyer për kryerjen e konsultimeve politike”.

 

Duke theksuar se Kosta Rika është e interesuar të promovojë shkëmbimin e informacionit midis akademikëve universitarë, studiuesve dhe studentëve, si dhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, Tinoco vuri në dukje interesin e vendit të tij për “nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunimin e mëtejshëm për parandalimin e fatkeqësive natyrore përmes sizmografëve midis agjencive të vendit”.

 

“Ne dëshirojmë të ri-theksojmë angazhimin tonë për të forcuar bashkëpunimin me Türkiyen në fusha të ndryshme si në promovimin e tregtisë, arsimin e lartë, ndihmën dhe parandalimin e fatkeqësive, si dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha ai.

 

Më tej, ai shprehu besimin e tij për të punuar së bashku, duke shtuar se në këtë mënyrë të dy vendet “mund të arrijnë suksese më të mëdha dhe të kontribuojnë në mirëqenien e popujve tanë”./AA