Në Shqipëri është hapur panairi kushtuar industrisë së turizmit me temë "Tourism and Travel Show Albania 2024".
Në ceremoninë e hapjes së panairit në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të institucione të tjera dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme të biznesit.
Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes së panairit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, u shpreh se rritja e cilësisë së profilit të turistëve e bën turizmin të qëndrueshëm.
"Vizitorët e shumtë vitin e kaluar shkuan përtej pritshmërive tona me mbi 10,1 milionë vizitorë të huaj, duke e radhitur Shqipërinë në vendin e tretë në botë për performancën më të mirë pas pandemisë, sipas shifrave dhe të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit. Duke rritur cilësinë e profilit të turistëve të cilët frekuentojnë Shqipërinë, bëjmë turizmin të qëndrueshëm, ekonominë që vjen nga turizmi më të begatë, rriten të ardhurat dhe rritet gjithashtu dhe punësimi", tha ajo.
Kumbaro theksoi se vlera më e madhe e këtyre panaireve dhe takimeve nuk është thjeshtë biznesi, por "është mundësia për të shkëmbyer, komunikuar dhe për të mësuar nga njëri-tjetri".
Qëllimi i eventit dyditor është për prezantimin e turizmit në Shqipëri dhe rajon. Pjesë e panairit do të jenë bashki dhe institucione të ndryshme, si dhe organizata, nisma dhe kompani nga Shqipëria dhe vende të tjera që kanë në fokus industrinë e turizmit.
Gjithashtu gjatë panairit do të organizohen edhe forume diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqatave të biznesit me fokus turizmin e qëndrueshëm, strategjitë për turizmin të bashkive dhe mbi turizmin rajonal.
Panairi mbahet nën organizimin e organizatave dhe nismave të ndryshme që kanë në fokus panairet dhe turizmin dhe nën kujdesin dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë./aa