Pas përfundimit të të gjitha negociatave në nivel teknik, Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen në fushën e mbrojtjes shoqërore me Republikën e Kroacisë.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se kjo marrëveshje konsiston në ofrimin e përfitimeve të sigurimeve shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënës.

 

“Përmes bashkimit të periudhave të sigurimit qytetarët shqiptarë dhe kroatë që jetojnë dhe punojnë në të dy vendet përkatëse do të kenë mundësi të përfitojnë një sërë shërbimesh”, tha Ibrahimaj.

 

Sipas saj, me realizimin e kësaj marrëveshjeje pritet të përfitojnë rreth 4200 të punësuar në të dy vendet.

 

Ministrja tha se kjo marrëveshje është në vazhdën e marrëveshjeve që Ministria e Ekonomisë dhe Financave është duke kryer me shumë vende të BE-së.

 

Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë Hungaria, Kanadaja, Turqia, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Kosova dhe Mali i Zi. Kësaj liste i shtohet edhe Kroacia, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

 

Ndërkohë që janë në proces marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Rumaninë, Greqinë, Francën dhe Italinë.