Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla, ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorious, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin midis dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimin e politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimin e Kosovës në NATO.

Në këtë takim, sipas njoftimit nga MPJD, ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, “veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon”.

Ministrja Gërvalla falënderoi ministrin Pistorius për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it.

Në këtë drejtim Ministrja Gërvalla ka kërkuar rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon, derisa konsideroi se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke krijuar mundësi për një të ardhme të sigurt dhe prosperuese në rajon.

Më 5 shkurt, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius dhe një delegacion i deputetëve të parlamentit gjerman, do të realizojnë vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës./aa