Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se nuk mund dhe nuk do të hesht teksa dy milionë njerëz në Gaza janë lënë të vdesin nga bombardimet, uria dhe sëmundjet epidemike.

"Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të pranojë kurrë bllokimin e ndihmës humanitare dhe furnizimeve mjekësore nga Izraeli për Gazën", u tha Fidan gazetarëve në Bukuresht, pas takimit me homologen e tij rumune, Luminita Odobescu.

Fidan tha se gjatë takimit diskutuan situatën në Lindjen e Mesme, duke i bërë thirrje Izraelit të zbatojë masat e përkohshme të dalin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në fillim të këtij muaji dhe të shpallë një armëpushim emergjent në enklavën palestineze.

Ai rikujtoi se Izraeli vazhdon sulmet e tij në Gaza, ku të mbijetuarit përballen me sfidat e urisë dhe epidemive të sëmundjeve.

“Nuk mund dhe nuk duhet të heshtim teksa dy milionë njerëz janë lënë të vdesin nga bombardimet, uria dhe sëmundjet epidemike”, tha ai, duke i kërkuar “opinionit botëror të ndërmarrë edhe një herë veprime vendimtare për të parandaluar këtë masakër”.

Gjatë takimit u diskutua edhe për Konventën e Montreux, e cila rregullon kalimin e anijeve nëpër ngushticat turke.

Fidan tha se Konventa e Montreux të vitit 1936 mbetet një "garanci" për sigurinë rajonale.

"Konventa e Montreux vazhdon të shërbejë si garanci për sigurinë e rajonit", tha Fidan.

Ai theksoi se Ankaraja po zbaton marrëveshjen e nënshkruar midis 10 vendeve, përfshirë Türkiyen dhe Rumaninë, në një mënyrë "të paanshme dhe të përpiktë" dhe përsëriti se çfarëdo diskutim rreth saj nuk vjen parasysh./aa