Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se misioni i BE-së për të luftuar sulmet e Huthive të mbështetur nga Irani në Jemen mund të fillojë më 17 shkurt.
Borrell në deklaratën për media para takimit që do të zhvillohet me ministrat e Mbrojtjes të vendeve të BE-së në Bruksel të Belgjikës tha: "Ne duhet të vendosim se cili vend do të marrë komandën, ku do të jetë selia dhe çfarë asetesh detare do të ofrojnë vendet anëtare".
Ai theksoi se shpreson që detajet teknike të misionit të vendosen në takimin që do të mbahet sot me ministrat e mbrojtjes. Borrell tha se sulmet e Huthive ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dëmtojnë ekonominë globale.
"Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së do të jenë të gatshme të marrin pjesë, por askush nuk do të jetë pengesë. Ata që nuk duan të marrin pjesë thjesht do të duhet të tërhiqen. Ne do të jemi shumë të shpejtë (në mekanizmin e vendimit). Shpresojmë se misioni mund të nisë më 17 të muajit të ardhshëm", tha Borrell.
Duke shpjeguar se misioni i BE-së do të jetë "Aspides", që do të thotë "mbrojtës", Borrell vuri në dukje se qëllimi i misionit është të parandalojë sulmet ndaj anijeve dhe të mbrojë anijet. Ai potencoi se ata nuk do të përfshihen në asnjë veprim kundër Huthive.
Derisa Franca, Gjermania, Greqia, Holanda, Italia dhe Belgjika u përmendën ndër vendet që priten të kontribuojnë në misionin e BE-së në Detin e Kuq, Spanja njoftoi se nuk do të përfshihej në mision./aa