Raportuesja e posaçme e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese vazhdimin e mbështetjes për Izraelin që vazhdon masakrat në Rripin e Gazës, e ka cilësuar si "standard të dyfishtë" të vendeve perëndimore të cilat kanë pezulluar ndihmat e tyre për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

Në një deklaratë nga platforma e medias sociale X, Albanese reagoi kundër pezullimit të ndihmës për UNRWA-në nga disa vende perëndimore.

"Qeveritë perëndimore pezulluan fondet e tyre për UNRWA-në për shkak të pretendimeve serioze ndaj 12 punonjësve. Të njëjtat qeveri nuk pezulluan marrëdhëniet e tyre me shtetin (Izraelin) ushtria e të cilit ka vrarë 26 mijë persona në 3.5 muaj në Gaza, pavarësisht se edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se kjo mund të përbëjë gjenocid. Standard i dyfishtë? Po, në nivelin më të lartë", tha Albanese.

Funksioni i UNRWA-së dhe pretendimi i Izraelit

UNRWA, e cila financohet me kontributet vullnetare të shteteve anëtare të OKB-së, që nga viti 1950 kur ka filluar aktivitetet e saj e deri më tani ndodhet në pozicionin e institucionit kryesor i cili siguron ndihma humanitare të tilla si ushqim, shëndetësi, arsim, strehim për refugjatët palestinezë.

Agjencia sot ofron mbështetje për 5.9 milionë refugjatë palestinezë.

UNRWA, teksa përpiqet të shërojë plagët e palestinezëve prej rreth 74 vitesh, gjatë këtij procesi objektet e saj janë goditur shumë herë nga Izraeli, ndërsa janë shkatërruar tonelata ushqime dhe ilaçe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi të hetohen menjëherë pretendimet e autoriteteve izraelite se personeli i UNRWA-së është përfshirë në sulmet e 7 tetorit. Gjithashtu edhe UNRWA filloi hetim kundër pretendimeve të Izraelit.

Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Islanda, Australia, Britania, Holanda, SHBA-ja, Franca, Austria, Japonia dhe Estonia njoftuan se kanë marrë vendim të pezullojnë përkohësisht mbështetjet e tyre financiare ndaj UNRWA-së.

Në anën tjetër Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do të vazhdojë mbështetja e tyre për UNRWA-në./aa