Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka hedhur poshtë pothuajse të gjitha pretendimet e Ukrainës ndaj Rusisë për shkeljen e Konventës Ndërkombëtare për Ndalimin e Financimit të Terrozmit.

GJND-ja hedh poshtë pothuajse të gjitha pretendimet e Ukrainës ndaj Rusisë në çështjen e financimit të terrorizmit

Gjatë leximit të vendimit në Hagë, presidenti i GJND-së, Joan Donoghue, tha se Rusia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj vetëm për një dispozitë të konventës.

“Rusia nuk i përmbushi detyrimet e saj për të kryer hetime kundër individëve që dyshohet se mund të financonin terrorizmin në Ukrainë”, tha ajo.

Shumica e pretendimeve të Ukrainës sipas Konventës Ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor u gjetën gjithashtu të pabazuara.

“Gjykata hedh poshtë të gjitha pretendimet e tjera të Ukrainës në lidhje me konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor”, thuhet në urdhër.

Megjithatë, theksoi Donoghue, Rusia me mënyrën se si e ka zbatuar sistemin e saj arsimor në Krime pas vitit 2014 në lidhje me arsimin shkollor në gjuhën ukrainase, ka shkelur detyrimet e saj sipas neneve 2 dhe 5 të konventës.

Ukraina paditi Rusinë për shkeljen e të dyja konventave në vitin 2017 dhe i etiketoi rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk si “organizata terroriste të financuare nga Rusia”.

Kievi gjithashtu këmbënguli se Rusia dyshohet se po kryente një fushatë të diskriminimit racor kundër tatarëve të Krimesë dhe ukrainasve në Krime./aa