Pas Kuvendit, as parlamentet vendore në Bashki nuk po gjejnë qetësi. Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës u shoqërua po ashtu me përplasje mes socialistëve dhe këshilltarëve të opozitës.
Mes zhurmës së këshilltarëve bashkiakë të opozitës, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vetëm me votat e mazhorancës, ndihmën ekonomike për familjet në nevojë, si dhe dhënien e bonusit të qerasë për familjet e evakuuara nga banesat e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.
Këshilltarët e Lulzim Bashës, koalicionit Bashkë Fitojmë, por edhe ata të Arlind Qorrit u bashkuan dhe nuk votuan.
Kjo situatë bëri që as Kryebashkiaku Erion Veliaj të mos mbante fjalë, por në fund të votimit, një mesazh e pati për këshilltarët e opozitës.
“Do kishit votuar ndihmën ekonomike dhe qiranë. Po ju s'keni as din, as iman, as Zot, as atdhe as asnjë gjë”- tha Veliaj.
Nga jashtë bashkisë, Këshilltari i PL Tedi Blushi, i përjashtuar me 2 muaj pasi vendosi pranga në foltoren e kryebashkiakut, tha se Veliaj kërkon te bunkerizojë bashkinë.