Rreth aferës së privatizimit të ish-Klubit Partizani, linja e mbrojtjes e Sali Berishës dhe dhëndrit është që ata nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi ndryshimin e destinacionit të përdorimit për terrene të Ish Klubit Partizani, nga sportive në të ndërtueshme. Pra, edhe nëse falë këtij ndryshimi familja Berisha-Malltezi është bërë miliardere, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, të akuzuar nga SPAK dhe GJKKO për korrupsion edhe për këtë ndryshim, ia lënë përgjegjësinë Edi Ramës. Prokuroria dhe gjykata antikorrupsion thonë se ai ndryshim destinacioni përdorimi u favorizua dhe u firmos nga Sali Berisha, por e vërteta e zbuluar tani është akoma më thellë se kaq, dhe 4 faktet të reja mund të përdoren edhe nga SPAK si prova te fundit për të vendosur familjen Berisha përballë përgjegjsisë së tyre.
Në fakt, dokumentat e zbuluar nga redaksia investigative e Shqiptarja.com vërtetojnë se gjithë vendimet e marra për të ndryshuar destinacionin e përdorimit të terrenit mbi të cilin qëndronte Klubi Sportiv Partizani dhe ku pastaj u ndërtuan 19 kullat, u firmosën gjithmonë nga Sali Berisha, nga Lulzim Basha dhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike. Dhe ndryshe nga amendimet e familjes Berisha, ky konkluzion bazohet mbi 4 fakte te pakundërshtueshme.
FAKTI I/ Ndryshimin e parë të destinacionit të Ish-Klubit Partizani në 2006 e bëri KRRT e Bashkisë së Tiranës, por me shumicën e votave të Partisë Demokratike
Vendimi i parë, që i takon vetëm një pjese të vogël të sipërfaqes, baraz me 0.7 hektarë, u firmos nga KRT e Tiranës drejtuar nga Edi Rama si kryetari i bashkisë me 7 mars 2006 dhe u ratifikua më pas nga Sali Berisha në cilësinë e kryetarit të KRRTRSH-së kombëtare me 21 nëntor 2006. Berisha dhe dhëndri i tij shfrytëzuan këtë rrethanë duke u përpjekur t’ja hedhin çdo përgjegjësi Edi Ramës.
Berisha deklaroi deri edhe se ai ndryshim destinacioni përdorimi është një krim për të cilin Edi Rama duhet të përgjigjet me një dënim deri 10 vjet burg!! Në realitet, çka përmbys përfundimisht akuzën e familjes Berisha është fakti se KRT e Tiranës në mars 2006 kontrollohej nga 13 eksponentë të Partisë Demokratike (që në atë moment ishte në qeverisjen e vendit) kundër 7 të Partisë Socialiste. Një përbërje e detyruar nga neni 19 i ligji urbanistik i 1998 (i cili një vit më pas ne fakt u modifikua). Absurditeti i KRT-je e Bashkisë së Tiranës e drejtuar nga kryebashkiaku (pra pushteti vendor), por e kontrolluar nga shumica e pushtetit qëndror, u kundërshtua edhe nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të 21.12.2006, me të cilën denonconte se ''neni 19 i ligjit “Për Urbanistikën”, parashikon përbërjen e KRRT-së së Bashkisë, Tiranë me një shumicë të cilësuar nga përfaqësues të pushtetit qendror (pra në këtë rast Partia demokratike – sh. red. )dhe me pakicën prej 1/3-ës të anëtarëve nga pushteti vendor (pra Partia socialiste – sh. red.), dhe kjo përbën një tjetër shkak, nga i cili ka lindur mosmarrëveshja e kompetencës ndërmjet dy pushteteve''.
Pra është e pakundërshtueshme se modifikimi i parë i destinacionit të përdorimit të tokës se Klubit Partizani nga sportiv në të ndërtueshëm nuk u vendos nga Edi Rama siç pretendon Berisha dhe dhëndrri, por nga përfaqësues të Partisë Demokratike që kontrollonin numerikisht organizmin urbanistik të kryeqytetit me kryetar Bashkie Edi Ramën. Nëse do të kishin qenë kundër, i kishin votat e duhura për ta rrëzuar vendimin. Vendimi u ratifikua përfundimisht nëntë muaj më pas nga kryeministri Sali Berisha në funksionin e tij si kryetar i KRRTRSH-së kombëtare.