Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se Karta e Autonomisē Menaxheriale për 5 spitale rajonale, QSUNT, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë u siguron qytetarëve shërbime më të shpejta dhe cilësore pranë vendbanimit.

“Me dhënien e Kartës së Autonomisē Menaxheriale për 5 spitale rajonale, QSUNT, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë arrijmë në një nivel tjetër duke iu ofruar qytetarëve shërbime më të shpejta dhe cilësore pranë vendbanimit, mjekëve rritje pagash dhe praktikat e dyfishta, investime në infrastrukturë dhe në pajisje mjekësore bashkëkohore”, u shpreh ajo në një postim në rrjetet sociale.

Sipas ministres, edhe ngritja e Qendrës së parë Spitalore Rajonale është një tjetër moment i rëndësishëm duke sjellë një model ekselent të binjakëzimit me spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe atij të Kavajës për rritjen e shërbimeve shëndetësore më afër qytetarëve, por duke iu përgjigjur edhe fluksit të turistëve gjatë sezonit veror.

“Vijojmë investimet në shëndetësi me rikonstruksionin e Spitalit Rajonal Gjirokastër, Lezhë, transformimin e ambienteve në Spitalin e Krujës ndërsa janë drejt përfundimit punimet në Poliklinikën e Shkodrës dhe Poliklinikën e Specialiteteve Durrës. Ofrimi i shërbimit shëndetësor universal nga veriu në jug, prioriteti ynë”, deklaroi ministrja./ata