Personeli shëndetësor ka marrë pagat e reja, me rritjen historike për mjekët specialistë me 50 mijë lekë.

 

Mjekët në Spitalet Rajonale dhe Bashkiake të veriut të vendit janë shprehur të emocionuar për pagat e reja +50 mijë lekë, duke e konsideruar një rritje dinjitoze që vlerëson profesionin dhe mjekët në Shqipëri.

 

“Sinqerisht nuk e kisha ëndërruar në jetën time që në Burrel apo në Shqipëri të merrja 1 milionë e 600 mijë në muaj”, tha Dr. Dalip Gjoka, mjek pediatër në Spitalin Bashkiak Mat.

 

Doktoreshë Xhensila Ujka, nefrologe në Spitalin Bashkiak Kurbin tha se, “si mjeke specialiste ndjehem e motivuar të punoj në një spital me kushte optimale dhe me një pagë që vlerëson profesionin tonë”.

 

Dr, Edlira Elezi Buçpapaj, endokrinologe në Spitalin Bashkiak Kurbin, theksoi se, “rritja e pagave është një lajm shumë i mirë sidomos për mjekët specialistë të rinj, të cilët nisin rrugëtimin e tyre me një motivim më shumë”.

 

Dr. Enxhi Vrapi, mjeke gjinekologe në Spitalin Bashkiak Kurbin u shpreh se, “tashmë kemi mundësinë të ofrojmë shërbimin tonë jo vetëm në kushte bashkëkohore spitalore , por gjithashtu përkushtimi ynë të vlerësohet edhe me pagën e re”.

 

Ndërsa Dr. Entela Kerxhalliu, mjeke Internist në spitalin bashkiak Kurbin tha se, “ndjehem e vlerësuar dhe e motivuar që të punoj në këtë spital”.

 

“Për mua është një lajm shumë i gëzueshëm rritja që qeveria Rama bëri së fundmi për pagat në mjekësi “, theksoi Dr. Dod Boci, mjek kirurg në spitalin bashkiak Pukë.

 

“Ndihem e vlerësuar për këtë rritje dinjitoze të pagës”, tha Dr. Klejda Çollaku, mjeke nefrologe, në Spitalin Rajonal Dibër.

 

“Kjo rritje pagash është një shtysë për mjekët e rinj që të qëndrojnë në vendin e tyre, që t’i shërbejnë njerëzve të tyre, atdheut të tyre”, tha Dr. Naim Nezaj, mjek radiolog në Spitalin Bashkiak Tropojë.

 

“Është gjithmonë mirë të ndihesh i vlerësuar për punën që bën, kështu që kam vetëm mirënjohje”, tha Dr. Gleni Halili, mjek neurolog në Spitalin Rajonal Shkodër.

 

Nga rritja e pagave sipas planit në sektorin e shëndetësisë përfitojnë mbi 22 mijë mjekë, infermierë, stafe administrative në strukturat shëndetësore.