Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi tha se vendi i tij nuk ka ndërmend të fillojë luftë, por se ata do të japin përgjigje në mënyrë të fuqishme ndaj çdo "tiranie".
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, Raisi iu drejtua popullit gjatë një vizite në rajonin Hormozgan në bregun e Gjirit Persik.
Duke folur për tensionet në rritje ditët e fundit me SHBA-në, Raisi deklaroi: "Ne nuk do të fillojmë luftë, por nëse një vend apo fuqi mizore dëshiron të bëjë ndonjë tirani, Irani do t'u japë atyre përgjigje të fuqishme".
Në sulmin e kryer me mjet ajror pa pilot (dron) kamikaz më 28 janar ndaj bazës amerikane në kufirin Jordani-Siri, humbën jetën tre ushtarë të SHBA-së dhe u plagosën mbi 40 të tjerë.
Zyrtarët amerikanë, kryesisht presidenti Joe Biden, bënë përgjegjës për sulmin grupet e mbështetura nga Irani dhe theksuan se ndaj sulmit do të jepet përgjigje në kohën dhe vendin që do të zgjedhë SHBA-ja.
Irani duke kundërshtuar pretendimet se ka lidhje me sulmin në fjalë tha se "Forcat e rezistencës në rajon nuk marrin udhëzime nga Irani për vendimet dhe veprimet e tyre"./aa