Ish-kreu i shërbimit të sigurisë izraelite "Shin Bet", e ka cilësuar ofensivën e vazhdueshme ushtarake në Rripin e Gazës si një "luftë hakmarrjeje".
“Ne filluam një luftë hakmarrjeje dhe kjo është absolutisht e justifikuar duke pasur parasysh atë që kemi kaluar”, deklaroi Carmi Gillon për televizionin izraelit Channel 12.
Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 27.019 palestinezë dhe duke plagosur 66.139 të tjerë, ndërsa sipas Tel Avivit, besohet se rreth 1,200 izraelitë janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Sipas OKB-së, 85 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur brenda enklavës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar.
Gillon, i cili dha dorëheqjen në vitin 1995 pas vrasjes së ish-kryeministrit Yitzhak Rabin, mendon se Hamasi "ka marr një goditje", duke shtuar: "Hamasi do të mbetet organi qeverisës në Rrip për sa kohë që ka vakum dhe nuk ka dikush tjetër për ta mbushur atë".
"Mund të ndodhë që të ketë një armëpushim për pesë ose gjashtë vjet dhe pastaj të rikthehet rituali i raketave. Megjithatë, historia e asaj që ndodhi më 7 tetor, për mendimin tim, nuk do të përsëritet", u shpreh ai./aa