Pjesëtarë të ekipit të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA udhëtuan së fundmi në Gjirokastër për t’u takuar me studentë, drejtues të komunitetit dhe grupe të shoqërisë civile nga Shqipëria e jugut, njoftoi sot ambasada e SHBA në Tiranë.

Në Universitetin “Eqrem Cabej”, ata u takuan me Rektorin Bektash Mema për të diskutuar mbi ndikimin e programeve të shkëmbimit të Ambasadës së SHBA dhe bashkëpunimin mes studentëve/profesorëve amerikanë dhe shqiptarë, përfshirë një memorandum të ri me Universitetin e Miçiganit Perëndimor.

Ekipi dëgjoi gjithashtu nga profesorë universitarë, të cilët po edukojnë studentët e tyre për rreziqet e lajmeve të rreme/keqinformimit përmes një projekti për edukimin mediatik të mbështetur nga ambasada.

Nxënësit nga shkollat Koto Hoxhi dhe Urani Rumbo, të cilët po studiojnë me mësuesen ndihmëse të anglishtes Fulbright, Sara Gaçe, i treguan ekipit aftësitë e tyre të shkëlqyera në anglisht.

Në shkollën e mesme Asim Zeneli, nxënësit ndanë përvojat e tyre duke u angazhuar në aktivitete jashtëshkollore përmes nismës Shkollat si Qendra Komunitare të mbështetur nga Ambasada, e menaxhuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Ekipi i Ambasadës u takua gjithashtu me organizata lokale dhe rajonale për të mësuar rreth punës së tyre dhe mënyrave se si ambasada mund ta mbështesë punën e tyre përmes Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci./ata