Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau sot një shkrim me titull, “Në pritje te censusit”.

Korça apo Shkodra, apo Berati apo Saranda, kanë qenë diskutimet për qytetin që u zbukurua më mirë në fundvitin që lamë pas. Gara për qytetin ku festohet më mirë është një shprehje e bukur e dëshirës së qyteteve tona për tu bërë atraktive e për tu rritur. Por këto lloj përpjekjesh për të krijuar energji lokale janë shumë pak dhe nuk janë as thelbësore. Janë thjesht plotësuese, shkruan ministri Peleshi.

Ai thekson se, këtë e kupton nëse mbyll sytë dhe projekton qytetin pas 10 vjetësh. Cilindo qytet jometropolitan, madje të cilido shteti. Të mbyllesh sytë dhe të mendosh nuk është e thjeshtë. Kërkon shumë guxim dhe mbi të gjitha forcë për tu shkëputur nga shpirti i gravitetit, siç e quan Nietzsche te “Kështu foli Zarathustra”.

E vërteta është që metropolet kanë forcë gravitacionale shumë të madhe. Ato tërheqin brenda vetes, fuqinë intelektuale, kapitalin ekonomik, pastaj edhe kapacitet njerëzore të pakualifikuara dhe kështu i thajnë qytetet periferike duke iu zvogëluar energjinë. Faktorët lokalë, këtë ligjësi pothuajse fizike duhet ta shikojnë në sy, pa u fshehur prapa gishtit të kohës dhe pa u befasuar nga rezultatet e Censusit qe pritet te dalin se shpejti, shton ai.

Peleshi thekson se, zakonisht bëjmë gabimin e mospranimi të realitetit me kokëfortësi. Refuzojmë të lexojmë trendet dhe bëhemi peng i mentalitetit “kështu ka qenë, kështu do të jetë”.

Në librin e tij “Think Again”, Adam Grant sjell shembullin e kompanisë BlackBerry që humbi tregun për shkak se nuk pranoi të përshtatej.

Shkëlqimi i të shkuarës është i rëndësishëm për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen, por jo i mjaftueshëm për të ndalur veprimin e tërheqjes metropolitane.

Peleshi nënvizon se, rruga e shpëtimit nga ky gravitet është shumë e ngushtë.

Por së pari, a duhet shpëtuar nga ky gravitet, apo duhet të pranojmë rënien e lirë që në fund të fundit na çon në krijimin e metropoleve më të pasura dhe me potencial më të madh për zhvillimin.

Nuk ka një përgjigje absolute për këtë, por unë po them vetëm mendimin tim me një fjali: Shqipëria është e veçantë sepse është një mozaik traditash, kulturash, folklori, kulinarie, krahinash ndaj fuqizimi i lokaliteteve është një interes kombëtar identitar dhe zhvillimor, jo thjesht një përpjekje nostalgjike në përplasje.

Zhvendosjet demografike marrin me vete edhe kujtimet, këngët, historitë, dialektet dhe i shkrijnë në një mesatare metropolitane. Por fushat, liqenet, lumenjtë, tokat pjellore, pyjet, ndërtesat historike nuk zhvendosen dot, e për rrjedhoje nuk shfrytëzohen dot nëse braktisen, shkruan Peleshi.

Sipas tij, Tirana do të jetë gjithnjë e më shumë një qendër ekonomike dhe kulturore bashkëkohore. Një kryeqytet mesdhetar i lakmuar edhe nga të huajt. Një krenari për të gjithë shqiptarët. Por potenciali i Shqipërisë duhet shfrytëzuar maksimalisht, për të prodhuar më shumë të ardhura dhe energji dhe kjo kërkon njerëz, njerëz të vjetër dhe të rinj.

Tani vijmë te pyetja më e rëndësishme.

Cila është ajo forcë që do të thyente parashikimet e trishta për demografinë e qyteteve periferike?

Unë besoj te forca e dëshirës së zjarrtë,-dëshirës për të ndërtuar një histori të mrekullueshme suksesi.

Dëshirës për një qytet që zhgënjen projeksionet dhe në vend që të zvogëlohet, rritet, në vend që të mplaket, rinohet, në vend që të dëshpërohet, buzëqesh.

Për ta ndezur këtë dëshirë së pari duhet ndezur vetëdija se nuk ka asgjë më vetërealizuese se sa t’i dedikohesh magjisë së krijimit dhe sfidës së një projekti. Së pari duhet ndërtuar një dizajn optimist e qytetit pas 10 vjetësh. Një model që ngjall frymëzim dhe mbledh rreth vetes artizanët entuziastë të së ardhmes, vijon Peleshi.

Pra, thekson ministry, qytetet tona janë në dorën e lidershipit komunitar që ka shansin të bëhet bashkë dhe të ngrihet në nivelin e historisë atipike të një qyteti apo krahine që thyen shpirtin e gravitetit dhe shpërthen forcen e brendshme të bërthamës së komunitetit lokal.

E thjeshta është më e vështira.

Ndaj kush i lexon këto rreshta mund të ngrejë shumë dyshime mbi vërtetësinë e kësaj teze të thjeshtë, por historia ka plot përjashtime të bukura si këto. Dyshimet, shpotitë cinike, buzështrëmbërimet janë faktorët që vrasin ëndrrat, ndaj hapi i dytë pas ndërtimit të dizajnos është mbyllja e veshëve.

Gjithçka është e mundur.

Sot ka edhe më shumë mjete në dispozicion të zgjidhjes së problemit të qyteteve, shkruan ai.

Le të rimarrim teknologjitë e reja. Teknologjitë e reja e sjellin botën e mundësive edhe në fshatin më të largët. Në Korçë ka rreth 200 të rinj që punojnë nga shtëpia për tregun amerikan. Me pak më shumë fokus dhe incentiva ky numër mund të dhjetëfishohet. Kështu vendet e punës në rrobaqepësi që herët a vonë do të mbyllen për shkak të rritjes së standardit të pagave, do të zëvendësohen me punë disa herë më të paguara. Ky treg në lulëzim i punës në largësi, jo vetëm që është më i paguar, por është edhe më i larmishëm në aftësitë e kërkuara. Madje qytetet tona mund të tërheqin edhe nomadë dixhitale të huaj. Fundjavën e kaluar takova një nomad dixhital i cili kishte zgjedhur Korçën. Domenico Pinto nga Italia më tregoi për lulëzimin e madh të kësaj lëvizjeje dhe për shanset fantastike që ka Korça për tu bërë një qendër e njohur për këtë trend të ri. Korça i ka të gjitha. I duhet vetëm të zbulohet, pra të promovohet si një qendër që mbështet lëvizjen e punës në largësi (online) dhe të plotësojë disa hallka të ekosistemit me shumë pak investim. Kështu edhe qytete të tjera të ngjashme. Domenico më tha që në Sarandë për momentin ka 2500 nomadë dixhitalë, shkruan Peleshi.

Këto ishin vetëm disa shembuj për të ilustruar bindjen se mrekullia mund të ndodhë.

Të gjithë faktorët i kemi në qytetet tona. Aty është universiteti, aty është bashkia, aty janë të rinjtë, artistët, krijuesit, sipërmarrësit.

Por nuk janë të lidhur dhe nuk “flasin” me njëri tjetrin, nuk dëgjojnë pëshpërimat e tregut të punës dhe nuk shikojnë përtej hundës. Dhe si rezultat nuk kanë më as dëshirë për tu përballur me atë që do të vijë nëse nuk lëvizin. Duhet një “pajtim” i madh.

Nëse “pajtohemi” do të “flasim”. Nëse flasim, do të duam. Nëse do të duam do të fokusohemi dhe do t’ia dalim.

Nuk i harroj fjalët e Benit, një sipërmarrës i suksesshëm në Korçë që eksporton prodhimet e tij në 30 vende të botës. Pasi e pyeta 3 herë se si ka arritur të shesë deri në Uruguaj, si i ka siguruar kontaktet, si ka arritur të patentojë një standard më të lartë se standardi europian, u përgjigj: fokus, fokus, fokus. Është kaq e thjeshtë dhe kaq e vështirë. Shumë e vështirë, mbyll shkrimin e tij ministri Peleshi./ata