Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) paralajmëroi se "Qasja në ujin e pastër në Rripin e Gazës është e kufizuar për shkak të bombardimeve të pamëshirshme të Izraelit që vazhdojnë".

Në një deklaratë nga llogaria X e UNRWA-së thuhet se "Uji është jetë, ndërsa Gaza jeton pa ujë". Në deklaratë bëhet e ditur se për shkak të bombardimeve të pamëshirshme të Izraelit, qasja në ujin e pastër në Rripin e Gazës është e kufizuar.

"Si pasojë e dhënies së ndihmave në mënyrë të kufizuar dhe shkatërrimit të infrastrukturës nga sulmet izraelite, në Gaza kriza humanitare po rritet dhe mijëra banorë të pambrojtur të Gazës janë përballë me rrezikun e sëmundjeve", thuhet në deklaratën e UNRWA-së.

Në anën tjetër në një postim tjetër në llogarinë X të UNRWA-së paraqiten deklaratat e Komisionerit të Përgjithshëm të UNRWA -së, Philippe Lazzarini.

Më tej thuhet se Lazzarini në një deklaratë për "Financial Times" ka bërë një kritikë duke thënë "A po paguajmë çmimin për ngritjen e zërit për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës së vështirë të njerëzve në Gaza të cilët po luftojnë me katastrofën humanitare që po shohim?".

Funksioni i UNRWA-së dhe pretendimet e Izraelit

UNRWA e cila financohet me kontributet vullnetare të shteteve anëtare të OKB-së, që nga viti 1950 kur ka filluar aktivitetet e saj e deri më tani ndodhet në pozicionin e institucionit kryesor i cili siguron ndihma humanitare të tilla si ushqim, shëndetësi, arsim, strehim për refugjatët palestinezë.

Agjencia sot ofron mbështetje për 5.9 milionë refugjatë palestinezë. UNRWA teksa përpiqet të shërojë plagët e palestinezëve prej rreth 74 vitesh, gjatë këtij procesi objektet e saj janë goditur shumë herë nga Izraeli ndërsa janë shkatërruar tonelata ushqime dhe ilaçe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi të hetohen menjëherë pretendimet e autoriteteve izraelite se personeli i UNRWA-së është përfshirë në sulmet e 7 tetorit.

Gjithashtu edhe UNRWA filloi hetim kundër pretendimeve të Izraelit.

Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Islanda, Australia, Britania, Holanda, SHBA-ja, Franca, Austria, Japonia dhe Estonia njoftuan se kanë marrë vendim të pezullojnë përkohësisht mbështetjet e tyre financiare për UNRWA-në.

Ndërsa Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për UNRWA-në./aa