Nën masa të forta sigurie dhe evakuim të pjesshëm autoritetet kroate asgjësuan një minë gjigante nga Lufta e Dytë Botërore, e gjetur shumë pranë portit të Rijekës.

 

Sipas njësisë speciale të ndërhyrjes, bomba që u shpërthye në brigjet e Adriatikut kishte më shumë se 600 kg eksploziv dhe përbënte një rrezik permanent për banorët.

 

Dhjetëra ekspertë morën pjesë në asgjësimin e saj, pasi e lidhën me dyshekë ajri, për ta zhvendosur pak kilometra nga bregu.

 

Për të qenë të sigurt për çdo situatë, autoritetet urdhëruan dhe evakuimin e 500 rezidentëve gjatë këtij operacioni.

 

Mina dyshohet të jetë lëshuar në det nga forcat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, teksa u zbulua vitin e kaluar gjatë punimeve për infrastrukturën e portit.

 

Gjatë një konference për shtyp, kryebashkiaku i Rijekës, Marko Filipoviç u shpreh se një tjetër bombë e vjetër me përmasa të mëdha është gjetur në qytet në një kantier ndërtimi.