Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ky është një tjetër projekt strategjik e inovativ që e kthen Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale dhe e vendos Shqipërinë në një rankim tjetër të dixhitalizimit.

“Si sistem i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike duke shtuar diversitetin e rrugëve dixhitale, që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe Italinë duke dhënë kështu një mundësi të tretë“, tha Balluku.

Sipas saj, ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe zhvillimit të trafikut të të dhënave mes Azisë, Lindjes së Afërt dhe Europës.

“Në anën e Egjiptit do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujor të Juglindjes, përmes Detit të Kuq dhe Azisë dhe Afrikës, të cilat i shtohen 10 rrugëve tokësore trans-egjiptiane, që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të Detit Mesdhe”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

Egjipti, vijoi Balluku, luan rolin e një nyjeje ndërkombëtare të të gjitha autostradave dixhitale.

“Duhet të kemi parasysh se për Shqipërinë, sistemi do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt dhe destinacione të rëndësishme për trafikun dixhital europian, duke lidhur Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit me nyjet kryesore si Vjena, Budapesti apo dhe Sofia”, tha Balluku.

Investimi i cili vlerësohet nga 100 deri në 115 milionë euro, vuri në dukje Balluku, shkon në të njëjtën linjë me politikat e hartuara për zhvillimin e teknologjisë dhe dixhitalizimit.

“Ky projekt bëhet pjesë dhe shtyllë mbështetëse edhe për strategjinë kombëtare që ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për tu futur në BE, ku një nga prioritet kryesore të kësaj strategjie, pa dyshim mbetet dixhitalizimi”, deklaroi zv/kryeministrja

Rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit digjital dhe falë zbatimit të këtij projekti do të bëhet e mundur një lidhje ndërkontinentale nënujore, ku Shqipëria do të ketë një pozicion kyç në mundësimin e kësaj lidhjeje strategjike.

Shqipëria ka aktualisht 3 linja nënujore të ndërtuara në vitin 1996, në vitin 1997 dhe në vitin 2023./ata