Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, deklaroi sot duke e pyetur mbi vendimet e marra, por ende të pazbatuara nga parlamenti, tha se nuk ka një mekanizëm që detyron politikën të zbatojë vendimet.

Në një konferencë për mediet, duke bërë analizën vjetore të punës së Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj tha se nuk mund të imagjinohej të mos zbatoheshin vendimet e kësaj Gjykate.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Duke pasur formën e ligjit dhe duke mos pasur asnjë ekuivok për të mos u zbatuar, Gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të kontrolluar zbatueshmërinë e vendimeve”, tha Zaçaj.

“Ajo që dua të theksoj është që nëse mund ta jap si mesazh për politikën është se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetues është rruga e duhur, e nevojshme dhe e vetme, nuk ka mënyrë tjetër sjellje nëse duam të jemi institucione të një shteti ligjor që udhëhiqet nga parimi i demokracisë. Nuk ka një efekt të pritshëm ligjor sepse nuk është imagjinuar të ndodhë një gjë e tillë. Nuk ka mekanizma që mund të vihen në lëvizje në rast kur nuk zbatohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i GJK është ligj dhe për këtë shkak nuk ka mekanizma” theksoi Zaçaj.

E pyetur mbi çështjen e kryebashkiakut të Zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, Zaçaj tha se nuk është kërkuar përshpejtim i procesit.

“Në datën 28 shtator 2023, Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur kalimin e saj në seancë plenare. S’ka ardhur në proces, është duke u përgatitur, janë duke u marrë materialet. Në momentin që një çështje bëhet gati dhe relatori është gati kërkon datën dhe vendoset. Nuk na rezulton të kemi kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces”, tha Zaçaj.

Ndërsa në lidhje me vendimin për emigrantët, Zaçaj tha se “vendimi është duke u punuar. Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare. Ajo që ne thamë në kuptimin e juridiksionit të dyfishtë apo ekstra territorial që lind, ne këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh, marrëveshja futet në hierarkinë e normave. Është e vendosur në një rang hierarkik nga vetë Kushtetuta. Konventa evropiane e të drejtave të njeriut është në nivel kushtetues. Në këtë kuadër juridiksioni që vjen nga Kushtetuta, vijon të mbetet dhe nuk vihet në diskutim”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

E pyetur për debatin e rritjes së pagave, ajo sqaroi se institucioni që ajo drejton ka propozuar korrigjimin e hierarkisë së pagave.

“Kur u rritën pagat e gjykatave, Gjykata Kushtetuese i bëri një propozim parlamentit, me disa ndryshime në ligjin tonë organik dhe kërkuam që paga të rishihet edhe paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Paga e gjyqtarit kushtetues duhet të jetë paga më e lartë e funksionarit të drejtësisë, kjo është hierarkia. Ne donim të korrigjonim hierarkinë e pagave në sistemin e drejtësisë. Historikisht kanë qenë më të paguarit. E njëjta ndodh në çdo vend të botës, gjyqtari i Gjykatës së Kushtetueses është më i paguari. Italia e ka më të paguar se presidenti”, tha Zaçaj.

“Ne nuk përcaktuam shumë dhe sa do të jetë rroga jonë por të rishikonte dhe vendoste në vend parimin. Qeveria deshi të korrigjonte. E pa të metë dhe çoi një pr/ligj që nuk është rakorduar me Gjykatën Kushtetuese. Dhe shifrat që i ka nisur Për ne është e rëndësishme të mbetet në hierarkinë si gjyqtari më i paguar aty ku e ka vendin. Shifrat nuk i kemi njohur dhe prodhuar ne. Rroga e gjyqtarit Kushtetues sot është 390 mijë lekë të reja bruto dhe 290 mijë lekë të vjetra neto e krahasueshme shumë afër me Gjyqtarin e shkallës së parë. Pavarësisht se Gjykata e Lartë ka diferencë të vogël”, tha kreu i Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj./ata