Numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar, gjatë muajit janar, shënoi rritje gati dyfish, duke arritur në 377 211.

 

Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), ky numër është rritur me 94.2 %, krahasuar me janarin e 2022-shit.

 

Sipas INSTAT-it, në janar 2023, nga vendet evropiane u shënua numri më i lartë i hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, konkretisht 366 257 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 7.051 dhe 1.308 shtetas.

 

Gjithsej, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që hynë në territorin shqiptar, për muajin janar, arriti 833 450. Ky tregues rezulton me një rritje 83.6 %, krahasuar me janarin e 2022-shit.

 

Ndërsa numri daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit janar 2023, është 954 933, duke shënuar një rritje me 57.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre, jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.

 

Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18% më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave.

 

Po ashtu, raporti jep të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3.7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84% më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; pa harruar edhe mysafirët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe hyrjet nga vendet e tjera të Ballkanit./ATSH