Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Presidentja Vjosa Osmani në deklaratën e saj për media pas takimit tha se Kosova është dëshmuar si partnere e Gjermanisë dhe e vendeve të NATO-s.
Ajo tha se Kosova ka nevojë për Gjermaninë për të siguruar sovranitetin e vendit, derisa vuri në pah se Gjermania do të shtojë prezencën e trupave të saj në kuadër të KFOR-it gjatë pranverës së vitit 2024.
"Vendimi për rritjen e trupave ushtarake nga ana e Gjermanisë është një reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë, por, njëkohësisht edhe mbështetjes për përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë", theksoi Osmani.
Osmani foli edhe për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku tha se politika serbe po e sfidon integritetin dhe po angazhohet për akte agresioni.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se KFOR-i mbetet si garantues për stabilitet dhe siguri në Kosovë. Ai tha se në pranverë do të vijnë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it gjerman të cilët do të jenë të gatshëm për veprim.
Ministri Pistorius tha se stabiliteti i rajonit dhe i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për Gjermaninë.
"Sa i përket marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, kërkesa e ditës është deeskalimi. Kancelari federal ka nënvizuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Evropa mirëpo kjo parasheh si kusht dialogun dhe askush nuk duhet dhe nuk mund të ketë një interes në kërcënimin e mëtejmë të situatës. Andaj, ne, marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë dhe pakicën serbe në Kosovë bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes", theksoi Pistorius.
Ministri gjerman po ashtu tha se do të vazhdojë mbështetja gjermane që Kosovën ta njohin edhe pesë shtetet evropiane që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai shtoi se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë duhet ta kenë qëllim anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Pistorius gjatë kësaj vizite në Kosovë po shoqërohet nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde./aa