Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për krime lufte në Kosovë, Zlatan Arsiqin.

Siç bëhet e ditur nga kjo gjykatë, Arsiqit të cilit iu ngrit aktakuza më 28 korrik 2023, i është ndërprerë edhe periudha e paraburgimit.

Aktakuza e bënte Arsiqin bashkë me pjesëtarë të policisë serbe dhe të grupeve paramilitare pjesëmarrës në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të banorëve të Kamenicës, me rrethinë, gjatë shkurtit dhe marsit të vitit 1999.

Po ashtu, aktakuza kishte vënë në pah një rast kur i dyshuari kishte ndaluar me veturë të policisë serbe, personin me iniciale B.M dhe familjarët e tij dhe më pas i kishte keqtrajtuar ata.

"Në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur, fillimisht e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë të tipit Llada me ngjyrë të bardhë, ku nga ajo veturë kanë dalë dy policë, njëri ndër ta i akuzuari dhe i janë drejtuar të dëmtuarit me fjalët ‘Gde si UÇK’ (Ku je UÇK), ‘Ku po i dërgon këto cigare’, ‘UÇK-së po ja dërgon’, ‘tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret…’", thuhej ndër tjera në aktakuzën e këtij rasti.

Tutje, sipas aktakuzës pasi personi me inicialet B.M ishte rrahur nga Arsiq, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ai ishte kthyer në shtëpinë e djegur, nga ku ishte dëbuar dhe më pas "në oborr i akuzuari e kishte goditur kërcënuar me vrasje e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij".

Arsiq akuzohej se kishte kryer veprën penale në bashkëkryerje "Krime Lufte Kundër Popullatës Civile" me ligjet e ish-Jugosllavisë./aa