Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ndërpreu punimet e seancës plenare, pasi deputetë të përjashtuar të opozitës u futën me forcë në sallën e seancave plenare.

Kuvendi u mblodh sot rreth orës 17:00 për të diskutuar mbi problematikat e ndeshura në zonat zgjedhore, në përfundim të “javës së gjelbër'”, ku deputetët zhvilluan takime në terren.

Fillimisht 19 deputetët e opozitës, të përjashtuar nga punimet e Kuvendit për shkak të shkeljeve gjatë seancave të kaluara, u përplasën e shërbimet e Gardës jashtë sallës së Kuvendit, duke tentuar të futen në sallë.

Pasi u futën me forcë në sallën e seancave plenare ata vijuan skenarin bllokues të punimeve të Kuvendit me zhurmuesa të rreshtuar para foltores së Kuvendit, duke mos lejuar kështu zhvillimin normal të punimeve të seancës.

Pas kësaj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mbylli punimet e seancës plenare, në pamundësi për të vijuar normalisht./ata