Prefekti i Qarkut Korçë së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Vinjola Rota dhe përgjegjësit e zyrave vendore arsimore, zhvilloi analizën vjetore të kësaj drejtorie, ku u prezantuan me detaje treguesit dhe rezultatet e vitit 2023.
“Fokusi kryesor është rritja e cilësisë së institucioneve arsimore, konsolidimi i një trupe mësuesish të kualifikuar, stimulimi dhe rritja e rezultateve të nxënësve, infrastruktura në përmirësim dhe modernizim të vazhdueshëm”, ka bërë me dije prefekti Jole, në një postim në rrjetet sociale.
Jole ka vënë theksin tek zbatimi i Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, projektet e dixhitalizimit dhe teknologjisë në mësimdhënie, stimulimi dhe mbështetja për nxënësit me rezultate të larta, bashkëpunimi i shkollave të mesme me universitetin “Fan S. Noli”, nxitja dhe forcimi i arsimit profesional si një domosdoshmëri e kohës në tregun e punës, e të tjera.
Në takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori vendor i Policisë, Gjovalin Loka, me të cilin është diskutuar mbi zbatimin e “Paketës së Sigurisë në Shkolla”, brenda rrezes së çdo objekti arsimor në qark.
Prefekti Jole është shprehur se, arsimi parauniversitar është një prioritet kryesor i qeverisë, për përgatitjen edhe më të mire të nxënësve për jetën akademike që i pret dhe të ardhmen e tyre.
Në përfundim prefekti Nertil Jole ka shprehur vlerësim e mirënjohje për të gjithë drejtuesit në arsim dhe mësuesit e qarkut të Korçës, që me përkushtim dhe shpeshherë me sakrifica, janë çdo ditë pranë nxënësve të tyre për t’iu dhënë dije dhe edukim./ata