Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu, është ndarë sot nga jeta në moshën 74-vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Mbi 200 valle të kërcyera prej saj, për Liljana Cingun u nis të flitet që në adoleshencë, si një talent i rrallë.
U angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël. Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të. Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë. Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”, “Oshëtima e maleve”, “Dasma e Rugovës”, ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte “Luftëtarët e lirisë” me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica. Gjatë trazirave në Shqipëri, në ’97-ën, Cingu u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.
E konsideruar si “Perëndesha e valleve”, Cingu ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t’u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.
Ndarja nga jeta e Lili Cingut, Begaj: Do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe
President i vendit Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të valltares Liljana Cingu.
Begaj shkruan se artistja shqiptare do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe.
“Artistja Liljana Cingu “Nderi i Kombit” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe”, shkruan Begaj.
Kryetarja e Kuvendit shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Lili Cingut: Princesha e valleve shqiptare
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të valltares Lili Cingu.
“Lamtumirë, Lili Cingu, princesha e valleve shqiptare! Vallet e Jugut, Çamërisë, Korçës, Kolonjës, Shqipërisë së Mesme, vallet epike të Veriut, vallet e Dropullit dhe krahinave të tjera të Shqipërisë i bëre më të lehta dhe u dhe plot bukuri e hijeshi me kërcimin tënd”, shprehet Nikolla.
Ndahet nga jeta valltarja Liljana Cingu/ Veliaj: Ngushëllime të ndjera për familjen e mbretëreshës së valleve shqiptare
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale shpreh ngushëllimet e përzemërta për familjarët e valltares.
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të mbretëreshës së valleve shqiptare, Lili Cingu. Ngushëllime të ndjera familjes”, shkruan Veliaj.
Liljana Cingun, ishte një nga valltaret e para shqiptare, por edhe pse u shkëput nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore prej vitit 1997, ajo nuk hoqi dorë kurrë nga skena.
Ndarja nga jeta e Lili Cingut, Gonxhja: Do të kujtohet përjetë si një ikonë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të valltares Lili Cingu.
Në një postim në rrjete sociale, Gonxhja shkroi se, “është i trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Perëndeshës së Valles Shqiptare, Lili Cingu”.
Meta: Trishtim për ndarjen nga jeta të Liljana Cingut, emblemë e artit dhe kulturës
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të valltares Liljana Cingu.
Meta e konsideron Cingun si një nga emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës.
“Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të artistes tonë të madhe Liliana Cingu, “Nderi i Kombit”, njërës prej emblemave të jashtëzakonshme të artit dhe kulturës. Falë mjeshtërisë së rrallë në interpretimin e valleve shqiptare, kontributi i saj i vyer për promovimin e denjë të vlerave të trashëgimisë tonë të pasur kulturore dhe përçimi i tyre tek brezat e artistëve të rinj do të mbetet gjithmonë i respektuar, frymëzues dhe i paharruar. Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve!”, shkruan Meta./ata