Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Arabinë Saudite në ndalesën e parë të turneut të tij rajonal mes përpjekjeve për të kërkuar një armëpushim në Rripin e Gazës.
Turneu shënon udhëtimin e pestë të sekretarit amerikan Blinken në rajonin e Lindjes së Mesme që kur Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor.
Kanali saudit ‘Al-Arabiya’ raportoi se Blinken pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë sauditë për situatën në Rripin e Gazës.
Më pas, Blinken gjithashtu do vizitojë Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe Bregun Perëndimor në kuadër të turneut të tij rajonal.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, shefi i diplomacisë amerikane do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje që siguron lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura izraelite, si dhe një pauzë humanitare për të lejuar ofrimin e qëndrueshëm dhe të shtuar të ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Që nga 7 tetori, sipas autoriteteve lokale, të paktën 27.478 palestinezë janë vrarë dhe 66.835 të tjerë janë plagosur në ofensivën vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës. Tel Avivi, nga ana tjetër, thotë se 1.200 izraelitë janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa mbi 130 izraelitë mbeten në robërinë e Hamasit.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa