Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se pas punës së saj novatore në korridorin e Detit të Zi, e përshëndetur në nivel global për parandalimin e një krize globale ushqimore, tani Türkiye dëshiron të krijojë një mekanizëm të ri për eksportimin e drithërave nga Ukraina dhe Rusia.
Duke folur mbrëmë vonë për një kanal privat, Fidan tha se ka diskutime të vazhdueshme, veçanërisht duke përfshirë OKB-në, Rusinë, Ukrainën dhe Türkiyen, se si mund të zhvillohet një metodë e re për transportin dhe logjistikën e drithërave në tregjet botërore, duke u fokusuar kryesisht në Detin e Zi.
“Marrëveshja e mëparshme e drithërave, siç e dini, funksiononte brenda një mekanizmi specifik. Tani është vënë re se ekziston mundësia për të vazhduar me një mekanizëm tjetër nga ai. Aktualisht, po përpiqemi ta materializojmë këtë mundësi”, tha ai.
Duke theksuar se anijet ukrainase nuk mund të përdorin rrugët e Detit të Zi për shkak të rrezikut të sulmeve, ndërsa anijeve ruse u është ndërprerë shitja e drithërave, Fidan shpjegoi se nga zgjidhja reciproke e problemit do të përfitojnë të gjitha vendet.
“Aktualisht ka disa anije ukrainase që transportojnë ‘de fakto’ drithëra. Po ngarkohen me drithëra dhe po largohen. Ky vend është i paprekur nga rusët. Në fakt, ne duam ta zyrtarizojmë këtë situatë ‘de fakto’ me mekanizmin e ri aktual”, tha Fidan.
Duke iu referuar situatës pas iniciativës së drithërave të Detit të Zi të vitit 2022-2023, të bashkë-negociuar dhe bashkë-zbatuar nga Türkiye, ministri turk theksoi se kriza e drithërave ka shkaktuar një krizë ushqimore në vendet e pazhvilluara dhe ka ndikuar seriozisht në çmimet globale, duke shkaktuar probleme humanitare.
Shefi i diplomacisë turke gjithashtu paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm rajonal mes sulmeve ajrore të vazhdueshme të SHBA-së ndaj grupeve të mbështetura nga Irani që filluan të premten e kaluar.
“Kur luani me zjarrin, ai zjarr mund të shndërrohet në flakë në çdo moment, duke u bërë i pakontrollueshëm. Ne po përballemi me një rrezik këtu dhe çështja e pa-kontrollimit qëndron para nesh si një kërcënim”, tha Fidan.
Duke theksuar se Türkiye është në bisedime të vazhdueshme me SHBA-në dhe partnerët rajonal, Fidan tha se, “Ne duhet të shmangim përhapjen (e konfrontimit) në rajon. Mund të përballemi me një përhapje më të madhe (konfrontimi)”.
Duke theksuar se çështja e sigurisë së Izraelit po ngrihet vazhdimisht, Fidan tha se në fakt Izraeli i jep përparësi zgjerimit territorial sesa sigurisë së tij.
Ai tha se Izraeli do të ndihet i sigurt pasi të ndalojë "duke i treguar gënjeshtra” komunitetit ndërkombëtar dhe t’u japë palestinezëve shtetin e tyre.
Duke theksuar se vendet e rajonit kanë deklaruar vazhdimisht se janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë, ministri turk u shpreh se, “Kur sollëm zgjidhjen me dy shtete këtë herë, faktori themelor ishte propozimi ynë për një mekanizëm garantues, duke e bërë atë të dallueshëm metodologjikisht”./aa