Ambasadori i Serbisë në Kombet e Bashkuara, ka dorëzuar një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për Kosovën.
Në kërkesë theksi vihet te situata në Kosovë, që sipas Serbisë është në kontrast të madh me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.
Tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë kur më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb.
Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Deri më tani, dinarët janë dërguar në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
Po ashtu, ditëve të fundit autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se kanë mbyllur shtatë komuna paralele në rajonin e Pejës dhe Dragashit, përderisa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucioni i vetëm që Serbia do të ketë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë./ REL