Në shtetin federal të California-s në bregun perëndimor të SHBA-së, ka ndodhur përmbytje dhe rrëshqitje të dheut si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të shkaktuara nga efekti i "lumit atmosferik", një fenomen që shkaktohet nga rrymat e ajrit me lagështi intensive.

Lumenjtë atmosferikë ndodhin kur uji avullon në ajër dhe përcillet nga era, duke formuar rryma të gjata që rrjedhin në qiell si lumenjtë.

Në California, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut ndodhën në disa rajone si pasojë e shirave të papritura të pazakonta, kurse shumë fluturime u anuluan për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe qytetarët u këshilluan që të mos përdorin automjetet e tyre për një kohë.

Ekspertët e Shërbimit Kombëtar të Motit informuan se shpejtësia e erës në San Francisco, në veri të shtetit, arriti në 96 kilometra në orë në disa vende, kurse në rajonet malore shpejtësia në fjalë u rrit deri në 128 kilometra në orë.

Policia e San Francisco-s njoftoi në një deklaratë në Facebook se një person ka vdekur pasi një pemë ka rënë mbi të.

Zyra e Guvernatorit të California-s shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 7 rrethe, duke përfshirë Los Angeles dhe San Diego, të vendosura në kufirin meksikan të shtetit.

Sipas ueb-faqes "PowerOutage.US", e cila gjurmon ndërprerjet e energjisë elektrike në vend, energjia elektrike ende nuk u dërgohet më shumë se 458 mijë abonentëve në të gjithë shtetin.

Banorët e rajonit, të cilët përgjithësisht hasen në thatësira, janë të papërgatitur për përmbytjet

Banorët e California-s, të cilët vitet e fundit kanë pasur probleme me zjarret e shkaktuara nga thatësira dhe vapa ekstreme, janë kapur të papërgatitur ndaj dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Të dhënat nga Programi Kombëtar i Sigurimit të Përmbytjeve të SHBA-së (NFIP) zbuluan se vetëm 52.400 shtëpi dhe vende pune ishin të mbuluara nga sigurimet kundër përmbytjeve në 8 rrethet e California-s, të cilat u shpallën një "zonë fatkeqësie".

NFIP vuri në dukje se ky numër korrespondon me më pak se 1 për qind të 7,7 milionë amvisërie në 8 rrethe ku jetojnë më shumë se 22 milionë njerëz.

Gjithashtu vetëm 14.600 shtëpi ishin të mbuluara nga sigurimet nga përmbytjet në Los Angeles, ku jetojnë më shumë se 10 milionë njerëz./aa