Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se Shqipëria do të vijojë me hapat ligjorë të parashikuar në legjislacion për marrëveshjen me Italinë, pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Në një konferencë për shtyp nga Roma, ku sot u nënshkrua marrëveshja për njohjen e kontributeve shoqërore mes dy vendeve, ministri Hasani bëri të ditur se pjesë e diskutimit me homologun italian, Antonio Tajani ishte edhe rreth marrëveshjes për emigrantët.
“Me ministrin Tajani diskutuam shumë çështje të aktualitetit, dhe pa dyshim diskutuam dhe marrëveshjen tjetër që kemi në dorë. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të vijojmë me hapat e parashikuar. Presim zbardhjen e vendimit nga Gjykata që të procedojmë me ratifikimin në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh ministri Hasani.
Ministri siguroi se strukturat shqiptare janë gati dhe do t’i përgjigjen ritmit që do të dakordësohet me palën italiane, e cila është gjithashtu në proceset e veta të miratimit të kësaj marrëveshjeje.
Hasani po ashtu bëri të ditur se në takimin me ministrin Tajani u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, ashtu sikundër edhe integrimin europian të vendit tonë.
“Them se biseda e ditës së sotme u përqendrua në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me çështjet në rajon. Ballkani Perëndimor ishte një nga pikat për të cilin diskutuam gjatë dhe zhvillimet në BP nuk mundet t’i lëvizin vëmendjes që dy qeveritë tona kanë. Pa dyshim rruga e Shqipërisë drejt BE-së është arsyeja tjetër që ne jemi sot këtu”, tha ai.
Shqipëria dhe Italia nënshkruan në nëntor të vitit të shkuar një marrëveshje për ngritjen e një qendre pritjeje në Lezhë për emigrantët që do të zbarkojnë në brigjet italiane./ata