Është shtyrë për në datën 21 shkurt seanca e radhës në GJKKO për masakrën e 'Gërdecit'. Në seancën e ditës së sotme në listën e dëshmitarëve ishte edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, i cili nuk u paraqit duke qenë se jeton në SHBA. 

Ndërkohë SPAK kërkoi të pyesë të ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu në cilësinë e të pandehurit në sallën e gjyqit,.Në një deklaratë për mediat sot pas seancës, Mediu tha se ishte i gatshëm të ballafaqohet edhe me ish-shefin e Shtabit të Përgjitshëm Luan Hoxhën. 

"Ballafaqimi është kërkuar nga prokuroria. Unë e kam kërkuar ballafaqimin me çdo ushtarak. Besoj se kjo është gjëja më e mirë. Ministri i Mbrojtjes ka detyrat dhe autoritetin e vetë, shefi i shtabit ka detyrën e vetë"- tha Mediu. 

SPAK kërkon të gjendet dhe të thirret Anjola Agolli ish sekretare e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi e cila nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj. Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.

Gjykata informoi se ministria e Drejtësisë ka dërguar letërporosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAC. Prokurori i SPAK kërkoi në seancën e radhës se nëse do të jetë gati mund të pyetet edhe Mediu në cilësinë e të pandehurit. Ky i fundit tha për mediat se për këtë çështje do të komunikonte me avokatët. Dëshmitari i fundit Ilmi Laçaj refuzoi të jepte deklarime, duke shfrytëzuar të drejtën si i bashkëpandehur që mund të heshtë. 

Seanca e radhës u caktua 21 shkurt 2024.