Studiuesit shëndetësorë po paralajmërojnë për një “përkeqësim alarmant” të shëndetit të fëmijëve nën 5 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar, i reflektuar në vdekshmërinë foshnjore, obezitetin dhe shëndetin e dhëmbëve, në një raport të publikuar së fundi.

“Çdo fëmijë ka të drejtë për një fëmijëri të sigurt dhe të shëndetshme. Është turp që Britania e Madhe nuk po e bën këtë”, shkroi Helen Minnis, një nga autoret e raportit të publikuar nga Akademia e Shkencave Mjekësore, një qendër e pavarur kërkimore shëndetësore në MB.

“Ne po tradhëtojmë fëmijët tanë”, përfundon profesorja e psikiatrisë së fëmijëve në Universitetin e Glasgow.

Sipas raportit, “progresi në shëndetin e fëmijëve ka ngecur” në Mbretërinë e Bashkuar vitet e fundit. Studiuesit parashtrojnë disa tregues që pasqyrojnë këtë “përkeqësim”.

Vendi renditet i 30-ti nga gjithsej 49 vendet më të pasura në vdekshmërinë foshnjore, shkruajnë ekspertët.

Një në pesë pesëvjeçarë është ose mbipeshë ose obez. Fëmijët që jetojnë në zona më të privuara përballen me dyfishin e rrezikut për të qenë obezë krahasuar me ata që jetojnë në zona të pasura.

“Normat e vaksinimit kanë rënë nën kufijtë e sigurisë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjë që kërcënon të shkaktojë epidemi”, paralajmërojnë studiuesit.

Shërbimet e shëndetit mendor të fëmijëve nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesën në rritje.

“Çështje të tilla si pandemia Covid-19, rritja e kostove të jetesës dhe ndryshimet klimatike po përkeqësojnë pabarazitë e përhapura”, thuhet në raport.

Shërbimi shëndetësor publik NHS po përballet me “sfida të mëdha” kryesisht për shkak të “popullsisë në plakje”, nënvizon një nga autorët e raportit, Andrew Pollard, ekspert për vaksinat në Universitetin e Oksfordit. Por ky raport, i cili flet për “një përkeqësim alarmues të shëndetit të fëmijëve tanë, i bën edhe më të zymta perspektivat për të ardhmen”, thekson ai. /tesheshi.com/