Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës me qëllim që shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në Serbi, t’u mundësohet blerja e pronave në territorin e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria është zotuar për avancimin e pozicionit juridik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe me këtë vendim shqiptarët nga kjo trevë do të mund të fitojnë të drejtë pronësore në Kosovë sipas kushteve të parapara me ligj.

Kurti tha se me këtë rast përjashtohet parimi i reciprocitetit të Kosovës me Serbinë.

“Jemi zotuar se do të mbështesin bashkëkombësit tanë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe që do ta avancojmë pozicionin e tyre juridik. Me propozimin e ri nga Ministria e Drejtësisë, qytetarët shqiptarë, pra, personat fizikë dhe juridikë nga ajo trevë, do të mund të fitojnë të drejta pronësore në Kosovë sipas kushteve të parapara me ligj”, theksoi Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ligji aktual për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë përcakton se fitimi i të drejtës pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë bëhet mbi bazën e parimit të reciprocitetit.

Ajo tha se duke pasur parasysh rrethanat dhe mungesën e raporteve bilaterale të Republikës së Kosovës me Serbinë, qytetarëve shqiptarë në Luginë me dispozitat e ligjit që është në fuqi u bëhet e pamundur fitimi i të drejtës pronësore, pra e kanë të pamundur që të blejnë prona në Kosovë.

“Mbi këtë bazë, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë iniciativën ligjore për plotësim-ndryshimin e këtij ligji, përmes së cilit ndryshim qytetarët e komunitetit shqiptar në Luginë do të përjashtohen nga kufizimet e reciprocitetit dhe mund të jenë titullar i të drejtave pronësore në Kosovë sipas kushteve të përcaktuara me ligjin bazik”, u shpreh Haxhiu.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, gjatë vitit 2022, shqiptarët në këtë vend janë pakica e katërt më e madhe kombëtare me mbi 61 mijë banorë./aa