Java e 23-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet të shtunën dhe të dielën. Takimi i parë i kësaj jave do të jetë Egnatia-Laçi. Sfida do të zhvillohet në “Arena Egnatia” duke nisur prej orës 13:30. Të dyja skuadrat vijnë nga një moment i mirë në kampionat dhe do të kërkojnë fitoren në këtë sfidë. Laçi numëron shtatë ndeshje pa humbje, ku ka regjistruar pesë barazime dhe dy fitore. Ndërsa Egnatia pas tre fitoreve radhazi, barazoi në sfidën e fundit në “Arenën e Demave“ me Partizanin.

Të shtunën do të luhen edhe dy takime të tjera në orën 17:00. Në “Loro Boriçi“ Vllaznia do të presë Teutën. Shkodranët synojnë të rikthehen te fitorja pas dy barazimeve radhazi, ndërsa durrsakët kërkojnë vazhdimësinë pasi siguruan fitoren e parë për këtë vit në kampionat ndaj Skënderbeut.

Në të njëjtën orë do të luhet edhe një tjetër takim që premton spektakël, Dinamo City-Partizani. Djemtë e trajnerit Dritan Mehmeti po kalojnë një moment të mirë në kampionat pasi kanë triumfuar në dy sfidat e fundit, ndërsa “të kuqtë” kanë lëshuar terren me kreun dhe synojnë të rikthehen te fitorja.

Të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të kësaj jave. Të dyja takimet do të luhen në orën 17:00. Tirana do të përballet me Erzenin në stadiumin “Air Albania”. Bardheblutë u rikthyen te fitorja dhe do të kërkojnë triumfin e radhës, ndërsa Erzeni pas tre humbjeve radhazi në kampionat do të synojë të marrë një rezultat pozitiv nga kjo sfidë.

Takimi tjetër i cili do të luhet po në orën 17:00 është Skënderbeu-Kukësi. Në Korçë, vendasit synojnë të hedhin pas disfatën e fundit me Teutën dhe do të kërkojnë fitoren në shtëpi, ndërsa Kukësi i vendit të fundit do të tentojë të rikthehet te rezultatet pozitive pas katër humbjeve radhazi në “Abissnet Superiore”./ata