Palestinezja 18-vjeçare Ayah Farina, e plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite, u detyrua të zhvendoset nga veriu i Rripit të Gazës në qytetin jugor të Khan Younis me karrocën e saj primitive.

Momentet plot me dhimbje, ku ajo humbi 5 vëllezërit e saj si pasojë e bombardimit të shtëpisë së tyre dhe historinë e zhvendosjes së detyruar Farina e rrëfeu për Anadolu-n.

Duke treguar se rruga e zhvendosjes pas shpërnguljes ka qenë plot rreziqe dhe vështirësi, Farina shpreson që këmbët e saj, të cilat u plagosën nga sulmi izraelit, të shërohen përsëri dhe të mund të kthehet në atdheun e saj dhe të jetojë përsëri atje.

- Një rrugëtim plot vështirësi dhe dhimbje

Farina e përshkroi udhëtimin e saj nga veriu i Rripit të Gazës në Khan Younis si "një udhëtim plot vështirësi dhe dhimbje", veçanërisht pasi ajo kaloi përmes pikës së kontrollit të vendosur nga Izraeli në rrugën Salah al-Din, e cila lidh veriun dhe jugun e Gazës.

"Pas sulmit tokësor të Izraelit në veri të Rripit të Gazës, ne u zhvendosëm në Khan Younis nëpërmjet (korridorit izraelit) Al-Halabah dhe sigurisht kishim frikë nga ushtria izraelite. Ne arritëm të merrnim një karrocë me rrota me vështirësi dhe vendosëm një pllakë druri sipër që të mund të udhëtoja mbi të", u shpreh ajo.

Pasi kanë arritur në rajonin Al-Mawasi, ajo shpjegon se bashkë me tezen e saj janë vendosur në një tendë të vogël, brenda të së cilës janë strehuar 16 persona.

- Tendat ishin të stërmbushura

Duke tërhequr vëmendjen në faktin se sa e ngushtë ka qenë tenda ku është përpjekur të mbijetojë, Farina tha: "Çadra është e ngushtë dhe e stërmburshur. Dhimbja shtohet në mot të ftohtë dhe nuk mund të vesh rroba për shkak të shufrave të platinit që kanë fiksuar kockat e thyera", tha Farina.

Palestinezët e zhvendosur nga brutaliteti i Izraelit në Rripin e Gazës po ballafaqohen me mungesën e batanijeve, veshjeve të ngrohta dhe metodave të ngrohjes që u nevojiten për të luftuar motin e dimrit dhe kushtet e vështira të motit, kurse kjo gjendje rrit edhe më tej vështirësinë dhe kompleksitetin e situatës humanitare.

"Sot kam bërë një ekzaminim dhe një radiografi të këmbës. Mjekët thanë se gjendja e këmbës së djathtë është e mirë dhe ka përmirësim, por gjendja e këmbës tjetër është ende pak e keqe, sepse kockat janë të copëtuara", shpjegoi Farina.

- Kërkesë për karrocë me rrota të përshtatshme për aftësinë e saj të kufizuar

Vajza e re me aftësi të kufizuara shpreson të blejë një karrige me rrota të përshtatshme për gjendjen e saj shëndetësore dhe të gjejë strehë më të mirë dhe më humane sesa tenda në të cilën ndodhet në rajonin Al-Mawasi për të parandaluar dëmtimin e këmbëve të saj.

Palestinezja Farina është e vetëdijshme se jeta nuk do të kthehet më siç ishte pasi humbi vëllezërit dhe shtëpinë e saj. Ajo dëshiron që sulmet të përfundojnë sa më shpejt dhe të kthehet në shtëpinë e saj në veri të Gazës.

Ushtria izraelite, e cila është tërhequr nga disa zona në veri të Rripit të Gazës ditët e fundit, ka shtuar sulmet ajrore dhe tokësore në rajonet jugore dhe po detyron civilët të largohen nga zona./aa