Serbia ka treguar jo pak herë “dyfytyrësinë” e saj, kur vjen puna tek mbajtja e një qëndrimi të qartë, apo zgjedhja e një ane, në konflikte të ndryshme që shpalosen në mjedisin aktual gjeopolitik. Ajo që ndodhi me Rusinë, tani duket se po ndodh me Izraelin.  Gjatë luftës aktuale izraelite kundër Gazës, Serbia u përpoq të shmangte ndërhyrjen politike publike në konflikt dhe Beogradi mbajti një pozicion relativisht neutral që synonte ruajtjen e marrëdhënieve. Serbia ka lidhje me Izraelin, por në të njëjtën kohë, ajo nuk dëshiron të paraqitet në skenën ndërkombëtare si një vend që minon interesat palestineze, thonë ekspertët e “Al Jazeera", të cilët shkruajnë se të kuptuarit e perspektivës unike të këtij vendi ballkanik ndaj Izraelit dhe Palestinës, kërkon një kuptim të caktuar të historisë së shekullit të 20-të.

Lidhjet me Izraelin

Serbët dhe hebrenjtë izraelitë ndajnë kryesisht rolin e viktimave të Holokaustit. Por Beogradi është gjithashtu i lidhur me palestinezët dhe shtetet arabe përmes rolit historik të Jugosllavisë në Lëvizjen e Jo-Angazhimeve, dhe në vitin 1967, Jugosllavia tregoi solidaritet me Egjiptin dhe Sirinë duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin dhe duke mos i rivendosur kurrë ato, deri në kolapsin e atij vendi. Që nga shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve '90, Serbia ka qenë krenare për marrëdhëniet e saj miqësore me Izraelin, si dhe me palestinezët. Beogradi gjithashtu ka një histori të votimit në favor të Palestinës në Kombet e Bashkuara dhe mbështetjen e një zgjidhjeje me dy shtete. Megjithatë, marrëdhëniet serbo-izraelite janë thelluar vitet e fundit.

Tregtia e armëve

Të mërkurën, Balkan Insight, duke cituar të dhënat e doganave, raportoi se kompania kryesore e tregtisë së armëve të Serbisë, në pronësi shtetërore Yugoimport-SDPR, eksportoi armë me vlerë 14 milionë euro në Izrael muajin e kaluar. Më 12 mars, Rrjeti Ballkanik i Kërkimeve (BIRN) raportoi se Serbia kishte bërë të paktën dy dërgesa të mëdha armësh ose municionesh në Izrael që nga sulmi i Hamasit tetorin e kaluar, "pavarësisht velit të fshehtësisë që rrethon këto marrëveshje". Klauzola e fshehtësisë ndoshta ekziston për të parandaluar dëmtimin e imazhit të Serbisë, në kuptimin që mund të interpretohet si mbështetje për luftën e Izraelit kundër Hamasit. Beogradi ishte furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin, i dyti pas Uashingtonit, gjatë periudhës 2004-2007, ndaj raporti nuk është befasues.

Synimet e Serbisë

Përpjekjet e Serbisë për t'i mbajtur marrëdhëniet e saj pozitive me Izraelin jo shumë të dukshme në mes të luftës në Gaza reflektojnë "dëshirën e Beogradit për të mbajtur marrëdhënie miqësore me të ashtuquajturin 'jug global', ku Beogradi ka mbështetjen e shumë vendeve që ende refuzojnë të njohin Kosovën. "Kur ndodhi sulmi i Hamasit, Serbia e dënoi atë dhe e cilësoi si akt terrorist. Megjithatë, Beogradi nuk donte të angazhohej politikisht ndaj asnjërës palë në konflikt, madje u përpoq të tregonte se Palestina dhe Izraeli janë miq të Serbisë dhe se Beogradi nuk dëshiron të përfshihet politikisht”, argumenton Igor Novakoviç, drejtor i kërkimit në Qendrën për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC).

“Ura” për tek Trump

Sipas Vuk Vuksanoviç, një studiues i lartë në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, Serbia e përdori Izraelin për të fituar akses në grupet e lobimit izraelit dhe, për rrjedhojë, për t'u afruar më shumë me administratën Trump. "Nuk ka dyshim se Serbia po përpiqet përsëri të fitojë patronazhin izraelit në Uashington dhe ta përdorë atë si një rrugë të shkurtër për një partneritet më të fortë me SHBA-në në mandatin e ri të Trump". Nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor, lidhjet e Beogradit me Tel Avivin mund të forcohen më tej. “Nëse marrëdhëniet serbo-izraelite thellohen në periudhën e ardhshme, supozoj se do të ketë të bëjë me pritjen e administratës së re Trump dhe forcimin e njëkohshëm të lidhjeve midis së djathtës populiste globale, e cila përfshin vende të zjarrta pro-izraelite”, thotë studiuesi.