Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u takua në Kudsin Perëndimor me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, teksa mes Hamasit dhe Izraelit vazhdojnë në mënyrë indirekte përmes ndërmjetësve negociatat për shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin.
Në një deklaratë nga Zyra e kryeministrit izraelit thuhet se Netanyahu dhe Blinken zhvilluan një "takim privat dypalësh të gjatë dhe gjithëpërfshirës" në ndërtesën e kryeministrisë në Kudsin Perëndimor.
Pas takimit, Netanyahu dhe Blinken kaluan në mbledhjen e zgjeruar ndërmjet delegacioneve.
Në takim nga pala izraelite morën pjesë, anëtari i kabinetit të luftës dhe ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Tzachi Hanegbi, drejtori i agjencisë izraelite të inteligjencës së jashtme (Mossad), David Barnea, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Brendshme Izraelite Shin-Bet (Shabak), Ronen Bar dhe këshilltarë të Netanyahut.
Ndërsa nga pala e SHBA-së morën pjesë përfaqësuesi special i SHBA-së për Çështjet Izrael-Palestinë, Hady Amr, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Bririn e Afrikës, përfaqësuesi special i SHBA-së përgjegjës për çështjet Humanitare në Lindjen e Mesme si dhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Jacob J. Lew.
Burimet palestineze njoftuan se Hamasi ka pranuar planin i cili parashikon shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin në 3 faza në Rripin e Gazës, ku secila fazë do të zgjasë 45 ditë.
Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se përgjigjja e Hamasit lidhur me shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin e negociuar i është përcjellë Mossad-it dhe se është vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse./aa