Çmimi i sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës prej muajsh paguhet me jetën e pacientëve dhe të plagosurve në spitale, sistemi shëndetësor i të cilëve është shembur.

Sipas deklaratës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, një pacient ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së oksigjenit në Spitalin Amal në rajonin Khan Younis të Gazës.

"Një paciente femër 77-vjeçare vdiq për shkak të mungesës së oksigjenit në Spitalin Amal, i cili funksionon nën Gjysmëhënën e Kuqe Palestine në Khan Younis. Spitali prej ditësh po përjeton mungesë serioze oksigjeni për dhomën e terapisë intensive dhe pacientët që qëndrojnë atje”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se përafërsisht 80 pacientë në spital kanë nevojë për trajtim urgjent, ndërsa pacientëve nuk ka mundur t'u ofrohet trajtim për shkak të mungesës së barnave dhe mjeteve mjekësore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, më herët kishte njoftuar se 11 mijë të sëmurë dhe të lënduar në Gaza kanë nevojë për trajtim urgjent dhe se këta persona duhet të largohen urgjentisht nga Gaza në mënyrë që të marrin trajtim.

Meqenëse kanë kaluar katër muaj nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, ku njerëzit u detyruan të qëndronin të uritur dhe të etur, populli i Gazës dhe autoritetet po bëjnë thirrje për kalimin e sigurt të mijëra pacientëve nga Gaza për trajtim për shkak të kolapsit të sistemit shëndetësor në rajon dhe mungesës së ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore, si dhe karburantit për gjeneratorët në spitalet./aa