Partia e Lirisë përshëndeti sot nënshkrimin e shumëpritur të marrëveshjes për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh sot në një deklaratë në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie se, “ky është një hap i madh dhe arritje e merituar, por shumë e vonuar, produkt i mbi 15 viteve negociata dhe përpjekje të gjithanshme, jo vetëm shtetërore por sidomos të vetë shqiptarëve dhe organizatave të tyre në Itali që prej 32 vitesh kanë ushtruar presionin e tyre pozitiv dhe e kanë nxitur përmbushjen e kësaj të drejte themelore ekonomike që u takonte”.

Meta uroi që “ky hap të përshpejtojë procesin edhe për finalizimin sa më parë të marrëveshjes së ngjashme me Greqinë, si edhe me vende të tjera, ku shqiptarëve, që prej dekadash u mohohet kjo e drejtë, që duhet të përfitohet sa më parë”.

Por, shtoi Meta, “teksa shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për Qeverinë e Italisë për miratimin e kësaj marrëveshjeje dhe për fleksibilitetin e treguar ndaj shtetasve shqiptarë, konstatojmë me keqardhje se Qeveria e Shqipërisë i ka braktisur dhe përjashtuar nga skema e pensionit dhe përfitimit të gjithë ata qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë kontribuar më pak se 15 vite pune”.

Meta theksoi se, “për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie Partia e Lirisë do të propozojë një iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore për t’u mundësuar të gjithë atyre personave, të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pavarësisht se kanë më pak se 15 vite gjithsej pune”.

Sipas tij, dy faktorë kërcënojnë sot skemën e pensioneve dhe në vitet e ardhshme. Plakja e popullsisë, si rezultat i rënies së numrit të lindjeve dhe shpopullimit të vendit dhe informaliteti i lartë në kontributin e skemës së sigurimeve shoqërore”./ata