Spitali Rajonal i Shkodrës do të pajiset me aparaturë të re bashkëkohore histeroskopie për kryerjen e diagnostifikimeve dhe ndërhyrjeve gjinekologjike.
 
Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kikuko Kato dhe Senad Hallunaj, drejtor i Spitalit Rajonal të Shkodrës, nënshkruan në Tiranë, marrëveshjen e grantit për “Projektin për Pajisjen e Spitalit Rajonal Shkodër me një Sistem Histeroskopie” në kuadër të skemës “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal”.
 
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të blihet një pajisje e re histeroskopie për kryerjen e diagnostifikimeve dhe ndërhyrjeve gjinekologjike pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës, duke i ardhur në ndihmë qytetarëve të kësaj bashkie me një shërbim më cilësor dhe profesional.
 
Ambasadorja Kato, u shpreh se ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor të ofruar nga departamenti i Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
 
Gjatë ceremonisë drejtori i spitalit, Hallunaj shprehu falenderimet e tij për projektin dhe mbështetjen e ofruar nga qeveria e Japonisë në fushën e shëndetësisë./ata