Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” duhet ta bëjë aplikimin përmes e-albania. 

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime të vendimit "nr. 257, datë 9.5.2018 për Përcaktimin e Kritereve, të Procedurave dhe të Dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje,  status special"

Në vendimin e miratuar sot (7 shkurt 2024) nuk ndryshon vlera e investimit , jo më të vogël se 8 000 000 (tetë) milionë euro për ndërtimin e  strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje; por lehtësohen kriteret që duhet të plotësojë aplikuesi për marrjen e statusit të veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”

Ishte/ Kriteret që përcaktonte VKM e 9.5.2018
- Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;
ii) Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to; si dhe
iii) Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian; apo
iv) Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizmit.

Bëhet/ Vendimi 7/02/2024
Në vendimin e ri hiqen këto kritere dhe përcaktohet se struktura që do të ndërtohet nga investitori duhet të “menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur  ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen,  i lidhur me aplikuesin me një  marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit”

 Më pak garanci
Po kështu ndryshim ka dhe tek garancia e sigurimit të marrëveshjes që duhet të depozitojë investitori për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes.Më herët me vendimin e vjetër garancia ishte në nivelin 10 për qind të vlerës së investimit.