Koordinatori i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, ka paralajmëruar se një operacion i mundshëm ushtarak izraelit në Rafah në jug të Rripit të Gazës do të ishte “krejtësisht katastrofik”.
“Ne e dimë shumë mirë, izraelitët e dinë edhe më mirë, por planifikimi të kesh një luftë shumë aktive në zonën e qytetit Rafah, me mbi 1.2 milionë njerëz të mbledhur, do të ishte krejtësisht katastrofik”, tha Wennesland në një konferencë për media në New York.
komentet e tij vijnë pasi të hënën ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se objektivi i ardhshëm i ushtrisë në Gaza do të jetë Rafah, duke pretenduar se është bastioni i fundit i mbetur i grupit palestinez Hamas.
Wennesland tha se është e pamundur që sistemi i OKB-së të japë ndihmë në mënyrë “të mjaftueshme dhe më efektive” në terren pasi armiqësitë janë në vazhdim.
“Ne në fakt, jo për momentin, mund të hyjmë lehtësisht në veri të Gazës, duke pasur parasysh konfliktin siç është, kështu që konflikti ka nevojë për një pauzë të shpejtë”, shtoi ai.
Duke vlerësuar përpjekjet e Egjiptit dhe Katarit, ai tha se do të duhej “punë shumë e vështirë” diplomatike për të arritur një armëpushim.
“Është e vështirë të gjesh fjalë se çfarë t’u thuash njerëzve në Gaza pasi ata kanë humbur gjithçka dhe janë ekspozuar ndaj një shkatërrimi masiv. Është shumë e vështirë t’u predikosh shpresën, i ulur në një vend të sigurt, njerëzve që janë ulur në mes të asaj që është ferr”, tha Wennesland.
Ai theksoi se sistemi humanitar nuk është projektuar dhe krijuar për të transportuar të gjitha mallrat në Gaza për 2.2 milionë banorë, duke shtuar se “nuk mund të dalim atje nëse nuk do të fillojë armëpushimi”.
Pasi të arrihet një armëpushim, theksoi ai, do të duhet një “vit optimist” për të pastruar Gazën.
“Dua të them, mos mendoni për kërcimin e shpejtë në rindërtimin e vilave të bukura. Kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.
Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë të paktën 27.708 palestinezë dhe duke plagosur rreth 67.170 të tjerë, ndërsa nga pala izraelite, Tel Avivi beson se në sulmin e Hamasit janë vrarë rreth 1.200 izraelitë.
Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa